Çfarë po ndodh me këshillin bashkiak të Shkodrës? A ka kompromise të fshehta apo qëndrime përmes votës për interesa personale? Për të katërtën herë në votimet e rëndësishme që bëhen në mënyrë të fshehtë dy forcat më të mëdha politike PD dhe PS kanë rrjedhje votash duke bërë që ky këshill të mos jetë i konsoliduar politikisht dhe duke bërë që të lindin dyshime të mëdha. Kështu ndodhi edhe në votimin e fshehtë që u bë për të zgjedhur anëtarët e bordit drejtues të Vllaznisë me 47 këshilltarët që morën pjesë në votim nga 51 që janë në total. Konkretisht nga 27 këshilltar të koalicionit të djathtë vetëm 21 prej tyre kanë votuar të plota 5 kandidaturat e propozuar për bord nga PD.

13 vota janë të përziera, pra janë votuar kandidaturat e majta dhe të djathta sëbashku në një kohë që në votim nga partitë aleate përjashto LSI-në morën pjesë vetëm 8 prej tyre, çka do të thotë se 4 vota lëvizin edhe në këtë këndvështrim. Kjo shifër rritet nëse përllogarisim fletët e votimit me 5 kandidatura të votuara që ishte maksimumi i mundshëm ndër 10 kandidatura në fletën e votimit. Kandidatët me votat e pastra vetëm nga PD dhe PS janë votuar 33 herë ndërkohë që në total ka 39 fletë votimi me nga 5 kandidat të votuar duke bërë që diferenca e fletëve të votimit të lëviz me 6 të tilla. Nga ana tjetër e majta po ashtu ka rrjedhje sepse ka 7 vota minus duke qenë se vetëm në 12 fletë votimi janë të votuara vetëm kandidaturat e propozuara nga e majta për bordin e Vllaznisë në një kohë që në sallën e këshillit nga e majta morën pjesë në votim 19 këshilltarë. Nëse marrim secilin kandidat sërish ka absurditete politike. Për secilin kandidat duheshin 50+1 të votave, pra minimumi 24 vota duke qenë se 47 morën pjesë në votim. Shpëtim Quku i PD që u zgjodh në bord mori 31 vota, çka do thotë se 4 vota i ka marrë në radhët e të majtëve. Mark Laloshi ka vetëm votat e të djathtëve 27 të plota ndërsa tek propozimi tjetër Admir Teli mungojnë 2 vota sepse nuk mori më shumë se 25 të tilla. Këto tre arritën që të merrnin votat e duhura për të qenë në bord. Situata në radhët e të djathtëve thellohet tek Benjamin Nako që mori 23 vota, 4 më pak sa ka e djathta këshilltar ndërsa Sytki Muça 21 vota, 6 më pak duke mos arritur që të zgjedhen. Tek të majtët asnjë prej kandidaturave të propozuar nuk ka marrë 19 vota duke qenë se po kaq votuan nga ana e tyre, pra nuk kanë marrë as votat e tyre. Jetmir Jahja dhe Edmond Ndou morën me nga 18 vota ndërsa Oltion Luli, Entri Çaku dhe Fatmir Paçrami me nga 17 vota. Në këshill pati edhe akuza për kompromis mes PD e PS dhe duke parë analizën e votave, lëvizjen e tyre dhe votat që rrjedhin sa tek të djathtët edhe tek të majtët, kjo mundësi nuk mund të përjashtohet dhe këshilli bashkiak i Shkodrës vijon që të çudisë me partitë politike të cilat nuk janë të konsoliduara dhe për të 4-ën herë radhazi në votime të fshehta të rëndësishme nuk ka stabilitet politik për të cilin qytetarët kanë votuar dhe votat rrjedhin duke lindur dyshime sa për kompromise të fshehta por edhe për interesa personale.