Ambasadorja kosovare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, i është përgjigjur në Këshillin e Sigurimit, pretendimeve serbe të shpalosura nga ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç.

Në seancën e zhvilluar mbrëmë në Nju Jork, Çitaku në rolin e përfaqësueses së Kosovës në Këshillin e Sigurimit ka thënë se Trepça është e Kosovës dhe se nuk ka asnjë dilemë më për këtë fakt. “Serbia ka instrumentalizuar komunitetin serb në Kosovë, si mjet për qëllimin e tyre. Minierat e Trepçës janë të Kosovës dhe do të menaxhohen nga Kosova. Serbia nuk ka as edhe një bazë ligjore për të mbështetur pretendimet për ndërmarrjet që janë në territorin e Kosovës. Kjo lloj sjelljeje cenon normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë Çitaku në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në raportimin tremujor për Kosovën.