Klubi i Futbollit Vllaznia i është drejtuar me një shkresë zyrtare Këshillit Bashkiak të Shkodrës, me një kërkesë për emërtimin e katër tribunave të stadiumit “Loro Boriçi” me emrat e katër figurave të mëdha të futbollit shkodran dhe shqiptar. Më konkretisht, bëhet fjalë për Ramazan Rragamin, Paulin Ndojën, Medin Zhegën dhe Sabah Bizin. Një kërkesë kjo si vlerësim për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë prej tyre për klubin e Vllaznisë dhe futbollin shqiptar në tërësi. Menjëherë, pas kësaj kërkesë, ka reaguar në lidhje me këtë propozim edhe Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, që përmes një postimi në faqen e tij e ka mbështetur një ide të tillë.

Emblemat nuk vdesin asnjëherë. Ato janë simboli i Shkodrës! Propozimi i klubit të futbollit Vllaznia dhe i tifozëve të shumtë shkodranë, jo vetëm që ka mbështetjen time personale, por besoj të gjithë Shkodrës që këta emra të mëdhenj të futbollit shkodran dhe atij shqiptar të jetësohen në tribunat e stadiumit “Loro Boriçi”. Sabah Bizi, Medin Zhega, Ramazan Rragami dhe Paulin Ndoja janë emra që i bëjnë nder sportit dhe Shkodrës”,-shkruan kryebashkiaku.

Ndërkohë, edhe kreu i Qarkut Shkodër, Edmond Ndou shprehu dakordësinë e tij për emërtimin e katër tribunave të stadiumit “Loro Boriçi” me emrat e ikonave Bizi, Ndoja, Zhega dhe Rragami.

Pasi u njoha me shkresën zyrtare që KF Vllaznia ka dorëzuar në Këshillin e Qarkut Shkodër, si Kryetar i Këshillit të Qarkut dhe njëkohësisht Kryetar i Grupit të Këshilltarëve të PS në Bashkinë Shkodër, shpreh dakordësinë e plotë për propozimin e bërë nga KF Vllaznia që katër tribunat e stadiumit “Loro Boriçi” të mbajnë emrat e katër ikonave të futbollit shkodran, Sabah Bizi, Ramazan Rragami, Paulin Ndoja dhe Medin Zhega. Ky është një gjest i denjë që nderon figurat e mëdha të sportit tonë dhe trashëgiminë sportive të qytetit të Shkodrës. Ato nuk janë vetëm legjenda të sportit, por edhe modele frymëzimi për brezat e rinj”,-shkruan kreu i Qarkut Shkodër.

Tashmë, mbetet vetëm që një kërkesë e tillë të shkojë në Këshillin Bashkiak të Shkodrës për miratim në mbledhjen e rradhës që do të mbahet gjatë këtij muaji.

Artikulli paraprakDËMET NGA MOTI I KEQ, OSHEE DHE BASHKIA LEZHË NË TERREN PËR ZËVENDËSIMIN E SHTYLLAVE
Artikulli tjetërBENET BECI TAKIM ME MYFTIUN E SHKODRËS IMAM MUHAMED SYTARI