Mesnata e së premtes shënoi fundin e fushatës dhe fillimin e 24 orëve të heshtjes zgjedhore.

Partitë politike në bazë të ligjit e kanë të ndalur fushatën, ndërsa puna kryesore është përqendruar në KZAZ. Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor kanë bërë gati dokumentacionin dhe bazën e nevojshme materiale për t’i shpërndarë në qendrat e votimit. Në KZAZ-në NR.5, e pozicionuar në palestrën e shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali”, 2 partitë e mëdha PD e PS akoma nuk kanë dërguar emrat e komisionerëve të qendrave të votimit.

Kjo KZAZ mbulon rajonin nr.5 në qytet si dhe një pjesë të rajoneve 3 e 4. Nënkryetari i KZAZ-së nr.5 i tha Star Plus se komisioni ka bërë gati bazën materiale, por akoma nuk janë paraqitur propozimet për komisionerët e qendrave të votimit. Po ashtu, kutitet e votimit dhe materialet e tjera zgjedhore nuk kanë filluar akoma të shpërndahen as në zona të tjera të qytetit.

Në KZAZ-të nr 2, 3 dhe 4 materialet zgjedhore dhe kutitë e votimit janë gati. Ajo që pritet është mbërritja e emrave të komisionerëve të qendrave të votimit për të dërguar më pas bazën materiale.Propozimi i emrave të komisionerëve të qendrave të votimit vijon të zvarritet nga subjektet politike, ku qarqet që më së shumti kanë shfaqur vonesa janë Shkodra dhe Lezha.

Afati i fundit për marrjen në dorëzim të bazës materiale dhe mbërritjen e tyre në qendrat e votimit është mesnata e së shtunës. Në qarkun e Shkodrës me 11 mandate deputetësh janë gjithsej rreth 263 800 persona me të drejtë vote.

Artikulli paraprakU LA JASHTË LISTËS, JOZEFINA TOPALLI KA NJË MESAZH TË FORTË PËR SHQIPTARËT
Artikulli tjetërROJE BREGDETARE NË PLAZHIN E VELIPOJËS