Koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës, Aleancës Kosova e Re dhe pakicat nuk janë paraqitur në vazhdimin e seancës konstituive.

Pavarësisht që seanca ishte thirrur nga vetë ky koalicion, ata nuk janë paraqitur fare ne sallën e Kuvendit. Nisur nga ky fakt, kryesuesi i seancës konstituive, Adem Mikullovci ka shtyrë seancën për orën, 14:00. Në sallë u paraqitën vetëm deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Bazuar në kandidaturën paraprake të Partisë Demokratike të Kosovës, pritet që për postin e kryekuvendarit të nominohet lideri i këtij subjekti politik, Kadri Veseli.

Nëse Kuvendi arrin të zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarët, Kuvendi konsiderohet i konstituuar. Më pas, në bazë të Kushtetutës së Kosovës, i takon koalicionit PDK, AAK, Nisma, AKR dhe pakicat që të nominojnë edhe zyrtarisht mandatarin për formimin e Qeverisë së re. Pritet që ai të jetë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Sipas procedurave, Haradinaj duhet të marrë bekimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili i drejtohet Kryesisë së re të Kuvendit me kërkesën për thirrjen e seancës për zgjedhjen e Qeverisë. Pas konstituimit të Kuvendit, votimi për Qeverinë mund të ndodhë që nga sot pasdite apo edhe brenda periudhës kohore prej 15 ditëve. Institucionet e reja të Kosovës janë rezultat i zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 11 qershor.

Artikulli paraprakREFUZUAN BERISHA E KOSOVA,BARAJ DO DREJTOJË SEANCËN E PARË PARLAMENTARE
Artikulli tjetërPAS VELIPOJËS, RAMA: GATI PËR RRUGËN E RE!