Përçahet Partia Demokratike në Vaun e Dejës. Kandidatët për Këshillin Bashkiak të PD-së në Vaun e Dejës kanë dalë në mbështetje të Zef Hilës, kandidatit të Berishës për kryebashkiak në zgjedhjet e 14 majit.

Megjithatë kandidatja e PD për kryetare bashkie Klomentina Drini vazhdon garën.

Kandidatët për Këshillin e cilësojnë Drinin kandidaturë personale e nxjerrë në kundërshtim me vullnetin e demokratëve të Vaut të Dejës. Ata bëjnë thirrje për votimin e Zef Hilës.

DEKLARATË E KANDIDATËVE TË PARTISË DEMOKRATIKE PËR KËSHILLIN BASHKIAK TË BASHKISË VAU DEJËS

Ne, kandidatët për këshilltarë të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Vau Dejës, duke falenderuar Kryesinë e Degës dhe strukturat e PD, Dega Vau Dejës, për besimin dhe mbështetjen, shprehim qëndrimin tonë lidhur me fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023:

Ne sot, me anë të kësaj deklarate, shprehim hapur mbështetjen tonë për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” z. Zef Hila.

Ne distancohemi nga çdo kandidaturë personale e kujtdo qoftë ajo, përfshirë edhe të kryetarit të komanduar të PDSH-së, për sa kohë kjo kandidaturë është nxjerrë në kundërshtim me vullnetin e demokratëve të bashkisë së Vau Dejësit.

Ne i bëjmë thirrje të gjithë demokratëve të bashkisë së Vau Dejësit, që të bashkuar të mbështesim kandidatin e përbashkët të demokratëve, z. Zef Hila dhe listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Z. Zef Hila është ish-kryebashkiaku jonë, është Deputeti ynë, është njeriu më i votuar dhe më i mbështetur i kësaj zone, dhe po ashtu edhe në listën tonë për këshilltarë bashkiak janë përfshirë gra dhe burra të ndershëm, profesionistë e me integritet, me kontribute për komunitetin tonë, e të gjithë janë të gatshëm për të punuar me përkushtim dhe me besim, për fitoren e padiskutueshme të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak dhe të z. Zef Hiles si kryetar i ardhshem i Bashkisë Vau Dejës me 14 Maj.

KANDIDATJA E PD-së

Vetëm tre ditë më parë, përmes një statusi në faqen e saj në “Facebook”, kandidatja e PD-së për bashkinë e Vaut të Dejës Klomentina Drini u bënte thirrje shqiptarëve të bashkohen me këtë forcë politike për të sjellë ndryshimin në vend.

“Me ‘Non Gratat’ majtas e djathtas Shqipëria nuk do të bëhet kuuurrë, por veç do të vidhet e shkretohet edhe më shumë, jemi të bindur që 95 % e Juaja nuk e dëshironi e as e miratoni këtë situatë mjeruese të diktuar nga korrupsioni i tejskajshëm. Ndaj ejani, na u bashkoni të bëjmë ndryshimin e gjithanshëm. Të gjithë bashkë pa dallime e ndasi të asnjë lloji dhe dashninë për vendin si kriter i padiskutueshëm mund të bëjmë jashtëzakonisht shumë dhe të largojmë çdo forcë negative që ju konsideron thjeshtë mundësi për pasurimin personal e nepotik”, shkruante Drini.

Artikulli paraprakRRITJA E ÇMIMEVE E PANDALSHME, NË RESTORANTE DO PAGUANI 20-30% MË SHUMË
Artikulli tjetërSTAR SPORT – 10.04.2023