Rreth dy orë në këmbë është dashur për të sjellë trupat e pajetë të Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj të cilët u gjetën të vrarë në afërsi të një parcele droge që dyshohet se është e Danjel Pepaj, autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë. Ka qenë vetë babai i autorit të dyshuar, shtetasi Rrok Pepaj ai i cili ka çuar policinë tek parcelat e drogës ndërsa pak metra më tutje u gjetën dy trupat e pajetë.

Policia vendore e Shkodrës ka arrestuar shtetasin Rrok Pepaj që është babai i Danjelit për veprën penale si bashkëpunëtor në kultivimin e cannabis sattive në zonën malore të fshatit Vrith në Malësinë e Madhe. Pas gjetjes trupat e pajetë u transportuan me një ambulancë drejt morgut të spitalit rajonal të Shkodrës.

Policia vendore e Shkodrës ka konfirmuar edhe zyrtarisht tashmë përmes një njoftimi për shtyp se autor i dyshuar i vrasjes së dyfishtë është Danjel Pepaj i cili është shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasje në Rrethana Cilësuese”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Kultivim i Bimëve Narkotike” ndërsa vijon puna për kapjen e tij.

Policia ka dyshime që Danjel Pepaj mund të jetë edhe në Malin e Zi dhe po bashkëpunohet edhe me policinë malazeze për gjetjen e vendodhjes të autorit të dyshuar të vrasjes së Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj.

Po ashtu policia ka konfirmuar parcelën me cannabis në të cilën janë gjetur 29 rrënjë të bimëve narkotike në afërsi të vendit ku janë vrarë dy shtetasit që njihet si “Rrenza e Grecajve”. Tashmë është bërë ekspertiza e kufomave teksa ka rezultuar se Klement Pepaj ka dy plumba në kokë ndërsa Vilson Çutaj ka 5 plumba pas shpine.

Artikulli paraprakRAMA I PËRGJIGJET METËS: ÇFARË BORXHI TË KA SHQIPËRIA QË DUHET TË DUROJË SHKALLIMET E TUA
Artikulli tjetërSHKODËR, I VENDOSI GJOBË, RRAH KEQAS POLICIN E RRUGORES