Malësi e Madhe

Vijojnë kontrollet me qëllim goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të gërryerjes së shtretërve të lumenjve.

U kapën teksa transportonin me kamion, inerte të marra ilegalisht, nga shtrati i lumit Shehu i Rrjollit, procedohen penalisht 3 shtetas.

Sekuestrohen një ekskavator me të cilin ishte gërryer shtrati i lumit, dhe një kamion i mbushur me inerte.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, si rezultat i kontrolleve dhe patrullimeve, të mbështetura në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë evidentuar dhe goditur një rast të gërryerjes së shtratit të lumit Shehu i Rrjollit, me qëllim nxjerrjen e kundërligjshme të inerteve.

Për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit F. H., 56 vjeç, E. H., 37 vjeç dhe L. H., 20 vjeç, të tre banues në fshatin Gruemirë-Çezme, Malësi e Madhe. Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me kamion, inerte që i kishin marrë në mënyrë të kundërligjshme, nga shtrati i lumit Shehu i Rrjollit, për qëllime fitimprurëse.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një ekskavator që shërbente për gërryerjen e shtratit të lumit dhe një kamion i mbushur me inerte.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Artikulli paraprakMJEKU: KUJDES NGA USHQIMET
Artikulli tjetërDY EKSPOZITA NË GALERINË E ARTEVE