Qeveria miratoi vendimin për vendosjen e strukturës për negociata për aderimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Sipas vendimit të Qeverisë, negociatori kryesor do të jetë Zv/Kryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiç, kurse zëvendësi i tij, Drita Halili Abdiu. Është rënë dakord që negociatat të zhvillohen me dinamikë të përshpejtuar.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski u zotua për një proces transparent me qëllim që procesi të mbyllet sa më parë ku bëri thirrje për mobilizimin e të gjitha resurseve të vendit.

“Përfundimi i negociatave deri në vitin 2030 është qëllimi që e kemi vendosur. Është reale dhe e arritshme dhe jam i bindur se në zgjerimin e ardhshëm të BE-së do të jetë edhe RMV-ja. Do të punojmë që vendi ynë të jetë i barabartë me vendet tjera anëtare, të jetë pjesëmarrës në krijimin e politikave të BE-së, padyshim duke mbrojtur interesat tona kombëtare”, deklaroi Kovaçevski.

Zv/kryeministri për Cështje Evropiane, Bojan Mariçiç, deklaroi se nuk ka një model përvoje nga vendet që tashmë kanë negociuar apo negociojnë me BE-në, për shkak se ky model vihet në funksion për herë të parë.

“Metodologjia e re imponon negociata aderuese politike në mënyrë që i gjithë procesi ngrihet në nivel më të lartë politik në të gjitha fazat e negociatave. Struktura negociuese përmban edhe Komitetin për negociata që kryesohet nga Kryeministri, katër zv/Kryeministrat, Ministrin e Jashtëm dhe Ministrin e Financave. Përmban edhe Delegacionin Shtetëror për negociata në krye me Ministrin e Jashtëm Bujar Osmani, si shef të delegacionit”, deklaroi Bojan Mariçiç, zv/Kryeministër për Çështje Evropiane.

Për shkak të rëndësisë dhe rolit të Kuvendit, vendimi I tij do të definohet me marrëveshje të ndërsjelltë ku do t’i jepet rol të definuar edhe opozitës.

“Ditëve në vijim janë planifikuar takime me Kryetarin e Këshillit Kombëtar për Eurointegrime, për cka ia shtrijmë dorën opozitës që të bëhet pjesë e procesit”,deklaroi Bojan Mariçiç-Zv/Kryeministër për Çështje Evropiane./INA

Artikulli paraprak“GJËMA E RADHËS”, PD DENONCON: QEVERIA NDËRHYN NË MËNYRË FLAGRANTE NË GJYQËSOR. PËRPJEKJE PËR TË KONTROLLUAR ÇDO ZYRË TË DREJTËSISË
Artikulli tjetërRRITJA E ÇMIMEVE, META PARALAJMËRON PROJEKTILIGJIN PËR INDEKSIMIN E PAGAVE: QYTETARËT NË SITUATË TË VËSHTIRË EKONOMIKE E SOCIALE