Rrënojat e kishës shekullore të Shën Gjonit në fshatin Rrashkullaj të Gruemirës në Malësinë e Madhe u mbushën me besimtarë katolik duke shënjuar kremtimin e 13-të martave të Shna Ndout që i paraprijnë ardhjes së festës së Pashkës. Arqipeshkëvi i Shkodrës Angelo Massafra kujtoi se si edhe gjatë komunizmit, në fshehtësi besimtarët janë lutur në këtë vend të shenjtë 900 vjeçar.

Bota ndodhet në një moment të vështirë thotë arqipeshkëvi Massafra për shkak të luftrave në mes Izraelit e Palestinë dhe Rusisë e Ukrainës por është e mundur që e mira të fitojë. Arqipeshkëvi përmendi edhe se si një familje muslimane ruajti kishën e Shën Gjonit për vite me radhë ndërsa uroi muajin e shenjtë të Ramazanit.

Mes mbeturinave, kjo është rruga e amortizuar që duhet të bëjnë besimtarët e krishterë sa herë shkojnë për t’u lutur tek kisha e Shën Gjonit. Arqipeshkëvi Massafra ka një thirrje për bashkinë e Malësisë së Madhe por edhe për Ministrinë e Kulturës që këto zona me kisha të hershme të mos lihen në harresë si dhe të bëhen gërmime arkeologjike.

Ky manastir bendiktin që daton 9 shekuj më parë është një dëshmi e gjallë e identitetit tonë kombëtar. Për këtë objekt ka patur probleme të shumta pasi fqinjët malazez kanë pretenduar se është i tyri por janë familjet muslimane të zonës që nuk kanë lejuar asnjë lloj tjetërsimi qoftë edhe historik.

Artikulli paraprakBANORËT: FËMIJËT NUK I ÇOJMË NË SHKOLLË KUR BIE SHI
Artikulli tjetërU BULLIZUA, “ARREST ME BURG” PËR INFERMIERIN