Në 107-vjetorin e Forcave të Armatosura, President ii Shqipërisë Ilir Meta ka dhënë një mesazh duke thënë se ky 107-vjetor e gjen ushtrinë shqiptare në krye të solidaritetit me qytetarët që pësuan dëme nga tërmeti i 26 nëntorit. Kreu i shtetit ka postuar një video nga puna e Forcave të Armatosura në zonat e prekura nga tërmeti ku 51 persona humbën jetën dhe qindra të tjerë mbetën të plagosur.

Më tej Meta thotë se ndihet krenar për djemtë dhe vajzat me uniformë, ndërsa shton faktin se tërmeti i 26 nëntorit nxori në pah faktin se ka ardhur koha për një modernizim të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Ja se çfarë shkruan Presidenti Meta në mesazhin e tij të plotë:

“Me konsideratat më të larta, ju shpreh sot urimet më të ngrohta të gjithë burrave dhe grave në uniformë të Forcave tona të Armatosura, me rastin e 107-vjetorit të Ushtrisë Shqiptare! Falenderim dhe mirënjohje për kontributet e vyera, përkushtimin heroik dhe sakrificat sublime për mbrojtjen e Atdheut dhe Sigurisë Kombëtare, për operacionet humanitare e paqeruajtëse, si dhe për garantimin e lirisë, paqes e stabilitetit kudo në botë,

nën flamurin e NATO-s. Ky 107-vjetor, i gjen Forcat tona të Armatosura, në krye të solidaritetit dhe ndihmës për vëllezërit e motrat shqiptare të prekur rëndë nga pasojat e tërmetit tragjik, duke spikatur me profesionalizmin, përkushtimin dhe dashurinë për të

shpëtuar banorët e mbetur nën rrënojat e kësaj fatkeqësie natyrore shkatërrimtare, që nxorri në pah dhe domosdoshmërinë e modernizimit të mëtejshëm të ushtrisë shqiptare. Zoti i bekoftë ushtarakët shqiptarë! Lavdi dëshmorëve që dhanë jetën për Atdhe dhe Flamur!”

Vetë kreu i shtetit ka vizituar disa prej zonave më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit ndërsa ka biseduar me banorë të prekur, ata që kanë humbur të afërmit por edhe me të plagosurit apo persona të tjerë që kanë patur dëme në banesat e tyre duke iu dhënë shpresë për të ardhmen se gjithçka sa i përket ndërtimeve do të rregullohet. Nga ana tjetër

kreu i shtetit anuloi 8 dhjetorin ku kishte parashikuar një tubim për referendumin mbarëpopullor në Shqipëri. Ky anullim erdhi për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme në Shqipëri ndërsa Meta u shpreh se nuk është koha për t’i larguar njerëzit nga solidariteti dhe se prioritare është përballimi i situatës pas tërmetit të 26 nëntorit duke lënë pas debatet për shkak të krizës politike.

Artikulli paraprakTËRMETI , FARMACI “VITA” NË SHKODËR DHURON ILAÇE
Artikulli tjetërSHKODËR, DIMRI “MBËRTHEN” QYTETARËT