Humbja e jetës së katër turistëve në një sauna në Qerret të Kavajës është një ngjarje që ka lënë pas shumë pikëpyetje mbi mënyrën se si ndërruan jetë rusët. Deri më tani është mësuar itinerari i viktimave që vinin nga Mali i Zi nëpërmjet një udhëtimi turistik në grup. Përmes telefonit ata kishin rezervuar ambientet SPA që kërkuan t’i frekuentojnë të premten në mbrëmje.

Viktimat ishin pjesë e të njëjtës familje. Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, Nikita Belousov, 37 vjeç dhe Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe. Trupat e pajetë u gjetën nga recepsionistja e hotelit, dëshmia e të cilës tashmë është publikuar në media.

“Iu thirra disa herë se pijet dhe frutat ishin gati. Pasi nuk mu përgjigj njeri hyra brenda në sauna dhe i pashë të katërt, nuk m’u përgjigjën. Njëri ishte i shtrirë në shezlong, dy në stol dhe një tjetër ulur me këmbët në pishinë. Ishin të asfiksuar” ka thënë ajo në polici.

Sipas autoriteteve kemi të bëjmë me një vdekje të shkaktuar nga asfiksia. Mendohet se rusët kanë qëndruar në xhakuzi për një kohë më të gjatë se sa mund të përballonte organizmi i tyre.

“Rreth orës 22:20 (23:20 pasdite me kohën e Moskës) , trupat e katër personave nga Rusia u gjetën në saunën e një hoteli në Qerret në [rrethin] Kavajë . Të gjithë ata ishin të asfiksuar”, njoftoi policia në një deklaratë.

Por ky version i ngjarjes mbart kontradikta në vetvete. Nëse njëri prej rusëve është asfiksuar i pari, atëherë supozohet se tre të tjerët do të kishin reaguar. Fakti që të katërt nuk kanë mbijetuar, atëherë kjo tregon se të katërt kanë humbur jetën në të njëjtin moment.

Dyshimet se si humbën jetën turistët rusë do të marrin një përgjigje nga autopsia. Në media është raportuar sot se ambasada ruse ka kërkuar një përfaqësues të saj gjatë zbulimit të shkaqeve të vdekjes së katër shtetasve rusë.

Artikulli paraprakNËNA E TRE FËMIJËVE QËLLON PËR VDEKJE NJË BURRË PASI REFUZOI…
Artikulli tjetër“SQUID GAME” SJELL FITIME MARRAMENDËSE PËR NETFLIX, 40 HERË MË SHUMË SE KOSTOJA