Nderimi i Troshanit, Konferenca Ipeshkvore: Bekim pas vuajtjeve

Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë e ka cilësuar nderim nga Vatikani pas vuajtjeve të shumta, shpalljen e Dom Ernest Troshanit, Kardinal nga Vatikani. Në një deklaratë për mediat, Konferenca Ipeshkvore thekson se Dom Ernest Troshani, ndër meshtarët akoma gjallë, dëshmitar i persekutimit më të egër komunist që bota përjetoi, regjimi që e ktheu Shqipërinë në një vend ateist. Meshtari që i mbijetoi masakrës komuniste u njoh nga e gjithë bota me dëshminë rrëqethëse që dëshmoi më 21 shtator 2014 para Papa Franceskut, ku nënvizoi vuajtjet e tmerrshme që ai dhe mbarë Kisha në Shqipëri përjetoi gjatë regjimit komunist. “Akoma edhe sot kujtohet përlotja e tij dhe e Papa Françeskut nga kjo dëshmi rrëqethëse. Akoma edhe sot kujtohet përqafimi i Papa Françeskut dhe si ai i puthi dorën priftit shqiptar”- thuhet në dekaratë. Gjatë periudhës në burg Don Ernesti, sot 88 vjeç, ka kremtuar meshën në latinisht, ka kryer rrëfime dhe ka shpërndarë kungimin në fshehtësi të plotë. Punët e rënda në burg, torturat e shumta dhe vuajtjet e papërshkrueshme nuk e penguan Dom Ernestin në shpalljen e Lajmit të Mirë të Ungjillit edhe pse ishte plotësisht i vetëdijshëm që me këto veprime rrezikonte jetën e tij. I arrestuar në vitin 1963, ai lirohet vetëm në vitin 1990, pas plot 27 vjetësh vuajtjesh, pune të detyruar dhe torturash. E tashmë pas gjithë këtij kalvari Dom Ernest Troshani shpallet nga Papa Françesku Kardinal Nderi, që domethënë se nuk merr pjesë në konklavë duke qenë se ka kaluar moshën, por nderohet me këtë titull nga kisha në përkujtim të martirizmit të tij të gjallë.

Artikulli paraprakSULMET AJRORE NE SIRI,SHTOHEN VIKTIMAT E PAFAJSHME
Artikulli tjetërMETA TAKON KOMUNITETIN SHQIPTAR NE ATHINE