Është ndarë nga jeta në moshën 68-vjeçare, Nikollë Shullani, kryetari i shoqatës mbarëkombëtare të shuarjes së konflikteve dhe pajtimit të gjaqeve. Për 30 vite me radhë Shullani u angazhua si misionar i paqes dhe pajtimit mes shumë familjeve por edhe individëve të ndryshëm që nga konfliktet më të vogla e deri tek hasmëritë mes familjeve të ndryshme në zonën e veriut të Shqipërisë kryesisht por edhe në qytete të tjera të vendit.

Nikollë Shullani njihej për urtësinë, maturinë e tij por ishte edhe një njohës deri në detajet më të vogla të zakonave, kodeve, traditave dhe aq më tepër kanunit të Lekë Dukagjinit në emër të cilit në zonat e veriut në këto 30 vite kanë ndodhur një numër i lartë vrasjesh.

Nikollë Shullani, arriti që të futet edhe në skutat më të errëta të atyre familjeve dhe individëve ku shteti shqiptar e kishte të pamundur sepse vetëgjyqësia ishte kryefjalë në gjithë këto vite duke mos pritur drejtësinë e cila në shumë raste nuk veproi ose u korruptua duke mos dhënë dënimet e merituara edhe kur autorët arrestoheshin, gjë e cila detyronte gjakmarrjen, fenomen shqetësues deri në instancat më të larta të Bashkimit Europian.

Janë mbi 150 raste të gjakmarrjes që Shullani bashkë me misionarët e tjerë, një pjesë e të cilëve nuk jetojnë më arritën të pajtojnë duke ulur armët e duke shtrirë dorën e pajtimit, ashtu siç janë me qindra raste të tjera të shuarjes së konflikteve duke parandaluar kështu ngjarje që mund të përfundonin me vrasje.

Nikollë Shullani bashkëpunoi shpesh herë me Star Plus Televizion duke sjellë historitë e shumë familjeve që vuajnë ende sot fenomenin e gjakmarrjes, fëmijë të pashkolluar, burra të mbyllur brenda katër mureve për vite me radhë dhe gra të stërmunduara që mbajnë peshën gjithë familjes. 68 vjeçari që u nda nga jeta pas një sëmundje që e mundoi kohët e fundit la pas një kontribut i cili i shërbeu shoqërisë dhe veriut të Shqipërisë.

Artikulli paraprakARRESTIMI I ISH-KRYEBASHKIAKUT KAJMAKU ME 20 KG KOKAINË, REAGON PS: PËRSHËNDESIM ZBATIMIN E LIGJIT PËR KËDO
Artikulli tjetërVELIPOJË, ASGJESOHEN 560 BIMË NARKOTIKE KANABIS, ARRESTOHET 24-VJEÇARI, NJË TJETËR NË KËRKIM