Drejtuesit problematikë të mjeteve, të cilët kanë historik negativ me aksidentet, do të paguajnë më shumë për sigurimin e makinës. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar rregulloren e re për llogaritjen e primit të sigurimit, ku çmimet që drejtuesit e mjeteve do të paguajnë për sigurimin e detyrueshëm do të diferencohen bazuar në disa faktorë risku. Sipas rregullores që hyn në fuqi nga 1 janari 2025, në përllogaritjen e primit të sigurimit përveç historikut të aksidenteve do të merret në konsideratë edhe Fuqia motorike, mosha e shoferit, eksperienca e tij në drejtimin e makinës, përdorimi i mjetit, qarku i regjistrimit të mjetit si dhe vjetërsia e makinës.
Vlerësimi i këtyre rreziqeve vulos edhe sigurimin e ri që do të paguajnë drejtuesit e mjeteve vitin tjetër. Moshat e reja, eksperienca e ulët apo makina e vjetër konsiderohen të gjithë rreziqe që shtrenjtojnë siguracionin. Po ashtu në rregullore thuhet se vetë Shoqëria e sigurimit mund të zbatojë edhe faktorë të tjerë risku, përveç atyre të parashikuara.
Formula e përllogaritjes së primit të sigurimit duke marrë në konsideratë edhe rreziqet e sipërcituara është bërë nga AMF, dhe në bazë të kësaj formule kompanitë e sigurimit do të vendosin vetë tarifat e primit të sigurimit, dhe ia vë në dispozicion AMF-së 30 ditë para se t’i aplikojë ato. Nëpërmjet këtij sistemi bonus-malus ku primi do të vendoset në bazë risku synohet që të rritet përgjegjshmëria e drejtuesve të mjeteve.