Kryeministri Edi Rama dhe ministrja për Punët e Jashtme Olta Xhaçka do të nisen sot drejt SHBA-së. Kjo pasi nga 1 qershori Shqipëria merr presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilën do ta mbaj për 30 ditë.

Paraditen e 2 qershorit, kryeministri Rama do të drejtojë debatin e hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi llogaridhënien ndërkombëtare, si një ndër përparësitë e vendit tonë në Këshillin e Sigurimit, të theksuar edhe më shumë për shkak të agresioni të Rusisë kundër Ukrainës. Vënia para përgjegjësisë e shkelësve të ligjit ndërkombëtar, qofshin shtete apo individë, kërkon bashkëpunim të fortë të gjithë shteteve paqedashëse, duke filluar me anëtarët e Këshillit të Sigurimit.

Debati i kryesuar nga kryeministri Rama shënon fillimin e zbatimit të planit të punës të Presidencës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit. Takimet e kryesuara nga kryeministri Rama do të pasohen nga disa veprimtari të tjera shënjuese, përgjatë muajit qershor përfshirë në nivel Ministror, të tillë si:

Debat i hapur drejtuar nga Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, mbi tematikën Gratë, Paqja dhe Siguria, me nëntemë “Roli i organizatave rajonale për zbatimin e GPS në situata trazirash politike dhe marrje pushteti me dhunë” (15 Qershor);

Sesion informimi, drejtuar nga Ministrja e Jashyme Olta Xhaçka, mbi bashkëpunimin mes OKB dhe organizatave rajonale, ku do të ftohet Bashkimi Europian (16 qershor);
Debat i hapur mbi Metodat e Punës të Këshillit të Sigurimit, drejtuar nga Ambasadori i RSH në OKB, NY (28 qershor).

Vitin e ardhshëm Shqipëria do të ketë presidencën pak muaj përpara përfundimit të mandatit, në tetor 2023. Programi i punës i kësaj presidence ndërlidh më së miri përparësitë e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit me zhvillimet më të rëndësishme të sigurisë ndërkombëtare, siç është lufta në Ukrainë.

Gjatë qëndrimit në Nju York kryeministri dhe Ministrja e Jashtme do të priten në takime nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, António Guterres si dhe nga ambasadorja e SHBA pranë OKB-së, Linda Thomas-Greenfield, takim ky në kuadër të bashkëpenësisë që Shqipëria dhe SHBA kanë lidhur me Ukrainën. Gjatë muajit maj presidencën e Këshillit të Sigurimit e kishte SHBA.

Nga 1 janari 2022 Shqipëria u ul si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Më 11 qershor 2021 Shqipëria u zgjodh anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023 duke shënuar një ditë historike.

Shqipëria ishte vendi i vetëm nga ata që ishin në garë që nuk kishte qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit. Shqipëria bën pjesë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara që nga dhjetori i vitit 1955, me përfaqësues në Asamblenë e Përgjithshme. Zgjedhja në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 66 vitesh anëtarësim në OKB, përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë.

Shqipëria u paraqit si kandidaturë konsensuale e Grupit të Vendeve të Evropës Lindore. Veprimtaria e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara ka prioritet paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Artikulli paraprakPRESIDENTI I RI, GRUPI PARLAMENTAR I PD BOJKOTON SEANCËN PLENARE, DËSHTON EDHE RAUNDI I TRETË
Artikulli tjetërPS: NË RAUNDIN E 4 DO TË KEMI KANDIDATIN PËR PRESIDENT, SHPRESOJ TË ZGJIDHET