“Nuk e mashtrova hallën time”. Kështu deklaron Artur Puka, nipi i Sabahete Pukës e cila i dha fund jetës së saj duke qëlluar veten me pistoletë me një në kokë pasi përmbarimi do ekzekutonte vendimin për t’i konfiskuar banesën ku jetonte. Nipi i 65-vjeçares shprehet se ai i ka paguar hallës së tij 28 milion lekë të vjetra në dorë duke ia blerë shtëpinë dhe se nuk e ka mashtruar.

Artur Puka pranon se ka marrë kredi në bankë sepse ka patur probleme me drejtësinë e po ashtu vitet e fundit ka humbur shikimin ndaj nuk ka mundur që ta shlyej kredinë. Nipi i viktimës flet edhe për konfliktin që sipas tij nisi kur 65-vjeçarja mori vesh se tapinë e ka lënë si garanci në bankë. Artur hedh poshtë edhe burimet policore se është fajdexhi ndërsa akuzon axhën e tij Bërhan Pukën, pra vëllain e Sabahete Pukës si shkaktar i ngjarjes së rëndë sepse sipas Arturit ka qenë Bërhan Puka ai që ka dashur ta marrë shtëpinë për të cilën bëhet fjalë. Ndjen keqardhje për hallën e tij dhe ngjarjen e rëndë por Artur Puka nuk pendohet për veprimet që ka bërë më përpara në marrëdhëniet me viktimën. Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e 2 nëntorit teksa 65-vjeçarja Sabahete Puka qëlloi veten me një plumb në kokë. Nipi i saj, Artur Puka u akuzua si shkaktar gjë të cilën 49-vjeçari e hedh poshtë.