Marrëveshja për stadiumit “Loro Boriçi” që pritet të firmoset mes bashkisë Shkodër dhe federatës shqiptare të futbollit me shumë mundësi nuk do të mund të futet si projekt-vendim në mbledhjen e radhës që do bëjë këshilli bashkiak të hënen e javës së ardhshme, me 9 nëntor. Shkak është bërë kalimi i afateve ligjore për ta diskutuar sërish në këshill pasi u shtye në mbledhjen e fundit që u zhvillua.

Nuk janë vetëm afatet ligjore por edhe negociatat që ka nisur tashmë bashkia me FSHF-në. Një ditë më parë ka patur një diskutim mes përfaqësuesve të federatës dhe bashkisë Shkodër por burime pranë tyre bëjnë me dije se deri tani nuk është arritur asnjë zgjidhje për pikat e propozuara dhe të ndryshuara nga komisioni “ad-hok” i këshillit bashkiak për kontratën e stadiumit. Ky komision ka propozuar që kohëzgjatje e kontratës të jetë jo më shumë se 15 vite ndërkohë që FSHF e ka kërkuar për 20 vite e po ashtu një tjetër propozim është që taksat t’i marrë përsipër federata si dhe ka disa ndryshime në kushtet e mirëmbajtjes ashtu siç i është kërkuar FSHF edhe një afat për përfundimin e punimeve ose në të kundërt do ketë sanksione ligjore. Të gjitha këto ndryshime që janë në favor të bashkisë do jetë vështirë për t’u pranuara nga ana e federatës dhe këtë e bëri të ditur edhe vetë presidenti i FSHF Armando Duka teksa vizitoi punimet për rikonstruksionin e stadiumit “loro Boriçi”. Në negocimin e parë palët nuk kanë gjetur dakordësinë dhe derisa të gjehet rruga e përbashkët ajo marrëveshje nuk mund të jetë pjesë e diskutimeve në këshillin bashkiak e po ashtu nuk mund të ketë një vendimarrje për t’i hapur dritën jeshile kryebashkiakes Voltana Ademi për ta firmosur gjë e cila mund të sjellë vonesa në përfundimin e punimeve të stadiumit.