Nuk ka të ndalur rënia e euros në tregun vendas. Monedha e përbashkët ka shënuar sërish një rekord të ri në tregun vendas.

Një euro këmbehet dje me 127.3 lekë, apo rreth 0.42 pikë më pak se një ditë më parë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Euro po luhatet ne nivelet më të ulëta që nga viti 2009.

Prej gjashtë ditësh euro ka hyrë në një trend rënës, duke u zhvlerësuar përkundrejt lekut me gati 2 pikë. Prej fillimit të këtij viti euro ka humbur 5.6 pikë, me një ritëm rënie të përshpejtuar në dy muajt e fundit.

Faktori kryesor vijon të mbetet oferta e lartë për euro, sidomos ajo informale, që po kanalizohet përmes ndërtimeve. Ekspertët e bankave pohojnë se ndikim ka dhe procesi i deeuroizimit, të nisur nga Banka e Shqipërisë, por që nuk është thelbësor.

Në të njëjtën linjë ishte dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë i cili në një dalje ditën e djeshme tha që nuk ka ndikim deeuroizimi në rënien e euros, por faktorët fondamentale, që lidhen me investimet, remitancat, turizmin.

“Në nivel makro, e thashë që mbiçmimi i kursit të këmbimit tregon rritje të fuqisë blerëse, për sa kohë që përcaktohet nga faktorë fondamentalë”, tha guvernatori.

Një tjetër faktor që po ndikon së fundi sipas aktorëve kryesorë të tregut të këmbimit valutor janë edhe flukset e turistëve.

Ata argumentojnë se duke qenë qarkullimi i lekut në minimum dhe shpenzimet e ulëta, flukset e valutës prej turizmit reflektohen në kursin e këmbimit.

Artikulli paraprakDITA E DËSHMORËVE/ KOMUNISTËT “RRËMBEJNË” SKENËN: LAVDI SHQIPTARIT TË MADH ENVER HOXHA!
Artikulli tjetërXHAFAJ: POLICIA SHEMBULL I FUNKSIONIMIT TË SHTETIT, DO NDAHEMI NGA ATA QË NJOLLOSIN UNIFORMËN!