Të paktën 4 persona kanë mbetur të vdekur pas një orteku në resortin e skive në Tignes, në Alpet franceze.

Ndërkohë, 9 turistë të tjerë janë përfshirë nga masivi i borës, që goditi një rrëpirë jashtë pistës së rrëshqitjes, sipas asaj që thotë Emmanuel Dubost i policisë lokale. Ai shton se në vendngjarje kanë shkuar menjëherë dy helikopterë, përveç forcave të policisë dhe ekipet e kërkim-shpëtimit të zonës malore. Punonjësit e kërkim-shpëtimit arritën të nxjerrin një të mbijetuar pasi u “varros” nga dëbora, i cili përshkruhet se është në gjendje kritike për jetën. Numri i viktimave, për fat të keq pritet të rritet.

Dy persona janë nxjerrë të gjallë deri më tani, ndërsa 3 persona rezultojnë të zhdukur, sipas burimeve nga vendngjarja. Orteku që ra prej një lartësie 400 metrash ka ndodhur në resortin e ndodhur në 2.100 metra nga niveli i detit, në një seksion jashtë pistës së skive në Tignes, një vend turistik pranë kufirit me Italinë e që preferohet shumë nga turistët britanikë.