Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri Bernd Borchardt deklaroi në konferencën e sotme rajonale për administrimin e gjykatave dhe menaxhimin e çështjeve se në dhënien e drejtësisë pa vonesa është bërë shumë, por mbetet edhe shumë për të bërë me shpresën te ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë.

Projekti “Drejtësi pa vonesa”, tha Borchardt i zbatuar nga Prezenca dhe i financuar nga qeveria austriake, ishte një përgjigje ndaj efikasitetit të proceseve gjyqësore. Projekti synon të përmirësojë efektshmërinë e procedurave në të gjitha gjykatat në Shqipëri.

“Të gjithë e dimë ndryshimin të cilit po i nënshtrohet sistemi i drejtësisë në Shqipëri. Vetting-u i punonjësve të drejtësisë vijon, ndërsa Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, me shpresë, do të jenë funksionale së shpejti; Do të ngrihen organe të reja kundër korrupsionit si SPAK-u. Këto përpjekje janë reforma të domosdoshme për të forcuar gjyqësorin shqiptar dhe për të rritur besimin e qytetarëve shqiptarë në sistemin e gjykatave” tha ai.

Sot u zgjodhën dy anëtaret e reja të Gjykatës Kushtetuese duke e çuar në pesë numrin, por për të funksionuar duhen gjashtë. Përveç ambasadorit Borchardt, në hapje të saj, folën edhe Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, ambasadori i Austrisë, Christian Steiner, shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës, Jutta Gützkoë, drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi, si edhe Anne Trice nga projekti i USAID-it “Drejtësi për të gjithë”.

Fjala e plotë e ambasadorit të OSBE-së në Tiranë
Kur Prezenca e OSBE-së zhvilloi një studim për efikasitetin e proceseve gjyqësore, në vitin 2013, rezultatet ishin vërtet tronditëse. Thuajse gjysma e seancave të vëzhguara ishin tërësisht joprodhuese: asnjë palë nuk paraqiste argumente, nuk vihej në dispozicion asnjë dokument, nuk jepej asnjë provë.

U duk qartë se nevojiteshin hapa të rëndësishëm dhe vendimtarë për të përmirësuar produktivitetin e sistemit.

Projekti “Drejtësi pa vonesa”, i zbatuar nga Prezenca dhe i financuar nga qeveria austriake, qe një përgjigje ndaj kësaj situate. Ai synon të përmirësojë efektshmërinë e procedurave në të gjitha gjykatat në Shqipëri.

Projekti ka qenë dhe mbetet një sukses i madh dhe i matshëm. Po ju jap tre shembuj:
• Në gjykatën e Krujës, vetëm gjashtë muaj pas fillimit të projektit “Drejtësi pa vonesa”, kohëzgjatja mesatare e gjyqeve penale u ul nga 135 ditë në më pak se 45 ditë. Secili prej gjyqtarëve e dyfishoi numrin e çështjeve, gjatë kësaj kohe;

• Në Korçë, numri i seancave joprodhuese në çështjet civile ra nga 35% në 2%;
• Në Lezhë, numri mesatar i seancave u ul me gati 50%.
Këta shembuj janë vetëm tre prej historive të shumta të suksesit. Në mbarë vendin, punonjësit e gjykatave po vënë në jetë rekomandimet procedurale.

Ata e kuptojnë vlerën e misionit të tyre: t’i japin drejtësi të vërtetë dhe pa vonesë çdo personi, pavarësisht gjinisë, moshës, etnisë, pushtetit politik, pasurisë apo faktorëve të tjerë. Ligji është i barabartë për të gjithë. OSBE-ja është gjithmonë në mbështetje të këtij parimi bazë.

Por, lejomëni të jem i qartë: Mbetet akoma shumë punë për të bërë.
Për të siguruar një sistem drejtësie të drejtë dhe të efektshëm, ka edhe nisma të tjera, që po ecin paralelisht. Të gjithë e dimë ndryshimin të cilit po i nënshtrohet sistemi i drejtësisë në Shqipëri.

• Vetting-u i punonjësve të drejtësisë vijon, ndërsa Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, me shpresë, do të jenë funksionale së shpejti;
• Do të ngrihen organe të reja kundër korrupsionit si SPAK-u.
Këto përpjekje janë reforma të domosdoshme për të forcuar gjyqësorin shqiptar dhe për të rritur besimin e qytetarëve shqiptarë në sistemin e gjykatave.

Prezenca e OSBE-së mbështet organet qeverisëse të gjyqësorit dhe gjykatat e rretheve në këto përpjekje.

Mbështesim, me kënaqësi, punën e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe bashkëpunimin mes autoriteteve vendore dhe shkëmbimet e përvojës. Këto ofrojnë mundësi për shkëmbimin e praktikave të mira në të gjitha nivelet. Theksi, në këto bashkëpunime,është rritja e kapaciteteve të Këshillit, Shkollës së Magjistraturës dhe gjykatave të rretheve.

Të gjitha këto përpjekje do të ishin të pamundura pa bashkëpunimin e ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë. Për veprimtarinëe sotme, do të doja t’u shprehja mirënjohjen time Këshillit të Lartë Gjyqësor, USAID-it, Këshillit të Evropës, Shkollës së Magjistraturës dhe kolegëve tanë, që punojnë në fushën e shtetit të së drejtës në misionet e OSBE-së në rajon.

Shpreh vlerësimin tim të sinqertë për ambasadën austriake dhe Bashkëpunimin Austriak për Zhvillim, që bënë të mundur këtë veprimtari.

Konferencat si kjo e sotmja janë një mundësi e çmuar për të bashkërenduar përpjekjet e organizatave ndërkombëtare për të ndihmuar Shqipërinë dhe rajonin që të zbatojnë standardet më të mira ndërkombëtare në fushën e drejtësisë.

Këto standarde nuk janë koncepte abstrakte:ato ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të këtij vendi. Po e mbyll fjalën time duke ju uruar një ditë frytdhënëse dhe interesante.

Artikulli paraprakSHQIPTARI KAPET ME KOKAINË DHE 30 MIJË EURO
Artikulli tjetërAMBASADORI GJERMAN: BUNDESTAGU E KA THEKSUAR SA E RËNDËSISHME ËSHTË KUSHTETUESJA