Aksidenti i rëndë ku humbi jetën një 42-vjeçare që po trasportohej me autoambulancë, dyshohet se ka ndodhur për shkak të parakalimit të gabuar që ka kryer shoferi i mjetit të urgjencës.

Nga veprimet paraprake ka rezultuar se mjeti autoambulancë që drejtohej nga Ilir Shullazi lëvizte me shpejtësi rreth 80 kilometra në orë dhe shkak për përplasjen është bërë një parakalim i gabuar.

56-vjeçari Shullazi është ndaluar nga policia, ndërsa drejtuesi i mjetit tjetër është ndëshkuar vetëm me gjobë për shkak se rezultoi se kishte konsumuar alkol. Referuar Kodit Rrugor, mjetet e emergjencës përfshi edhe autoambulancat në momentin që qarkullojnë nuk penalizohen për shkelje të rregullave, por neni 145 i Kodit Rrugor thotë se duhet të kenë kujdes të mos shkaktojnë aksidente.

Neni 145: “Drejtuesit e mjeteve të përmendura në pikën 1, gjatë përmbushjes së shërbimeve urgjente të institucionit, kur përdorin së bashku sistemin zanor shtesë të alarmit dhe atë të sinjalizimit pamor me dritë vezulluese blu, nuk janë të detyruar të zbatojnë detyrimet, ndalimet dhe kufizimet në lidhje me qarkullimin, sinjalizimin rrugor dhe normat e sjelljes në përgjithësi, me përjashtim të sinjalizimeve të policit të trafikut, por gjithmonë duke mos sjellë rrezik për vete dhe për të tjerët.”

Nuk dihet ende nëse mjeti që drejtohej nga Shullazi në momentin e përplasjes kishte të ndezuara sirenat, si dhe sinjalin zanor. Pritet që ekspertët rrugorë të përcaktojnë edhe shpejtësinë e saktë me të cilën lëvizte autoambulanca dhe nëse mjeti plotësonte të gjitha kushtet teknike siçështë sistemi I frenimit, por edhe gjendja e gomave.

Artikulli paraprakSHKODËR, ZHBLLOKOHEN BANORËT NË AKSIN E DUKAGJINIT
Artikulli tjetërNATO URON SHQIPËRINË NË DITËN E PAVARËSISË