Kryetari i Partisë Demokratike në Shkodër Xhevdet Amuli ka uruar nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook 109 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Amuli u shpreh se kjo ditë duhet të jetë një ftesë për një bashkim të madh të gjithë shqiptarëve në një betejë të përditshme e papushim derisa liria e çdo shqiptari të jetë e pacënuar.

POSTIMI I PLOTË

Sot përkujtojmë 109 vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar, shpalljen e Pavarësisë, ngjarjen më të madhe për shqiptarët. Pavarësia e Shqipërisë, në të gjitha dimensionet e saj i ka rrënjët në sakrificën sublime të mijëra e mijëra shqiptarëve, intelektualëve e patriotëve, të cilët ndër shekuj mbajtën të gjallë flakën e lirisë kombëtare dhe të identitetit tonë kombëtar, si një prej qytetërimeve më të vjetra të Europës. E sidomos ne, shkodranët, e dimë mirë këtë sakrificë, pasi pikërisht, kur në Vlorë ngrihej flamuri i pavarësisë, Shkodra zhvillonte një prej qëndresave më të jashtëzakonshme në mbarë historinë shqiptare, duke larë me gjak çdo pllëmbë të këtij qyteti, në përpjekjen që të qëndronte brenda kufijve shqiptarë.

28 nëntori është një ditë nderimi, së pari për sakrificën e të gjithë atyre, që punuan dhe luftuan me besimin e krijimit të një Shqipërie të lirë dhe të pavarur. Kjo datë për shqiptarët, e në veçanti për shkodranët është simboli i pëpjekjes për liri në të gjithë dimensionet e saj, si për pavarësi dhe çlirimin nga pushtimi nazifashist, por dhe i lirisë nga diktatura komuniste. Prandaj, sot, ne përulemi me nderimin më të thellë para të gjithë atyre që nuk u stepën para sakrificës sublime, dhënies së jetës e gjakut të tyre për këtë vend.
Të vetëdijshëm për çmimin e lartë që kemi paguar përpavarësinë tonë si shtet, për lirinë tonë kombëtare, kjo ditë duhet të jetë një thirrje që të bashkojë shqiptarët në një vullnet të ri për t’ju rikthyer shembujve shtetformues të Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit, e themeluesve të tjerë të shtetit të pavarur shqiptar.

Kjo sacrificë që ky vend ka paguar për pavarësinë dhe lirinë duhet të jetë e pandarë nga beteja e përditshme për të ruajtur lirinë dhe demokracinë. Nga koha e Skënderbeut deri tek luftërat e fundit çlirimtare të shqiptarëve, 28 nëntori është dita kur flamuri na bashkon të gjithëve si komb,e po kështu na kujton për peshën e përgjegjësisë së brezit të ri dhe shqiptarëve sot. Por, për fat të keq, ky përkujtim i përpjekjeve që kanë bërë shqiptarët për të krijuar dhe ndërtuar shtetin e tyre, vjen në kontrast të thellë me sjelljet antishqiptare të atyre që në kurriz të shtetit shqiptar, e të qytetarëve shqiptarë, po e varfërojnë çdo ditë e më shumë këtë vend. 28 nëntori nuk duhet të jetë thjeshtë një ditë përkujtimesh ngjarjesh historike, por edhe një çast reflektimi për të gjithë ne qytetarët e këtij vendi. Sidomos në këtë periudhë krize të gjithanshme, ku prej keqqeverisjes, pasigurisë e varfërimit, pasoja më e madhe që po përjetojmë është braktisja e vendit.
Prandaj kjo ditë duhet të jetë një ftesë për një bashkim të madh të gjithë shqiptarëve në një betejë të përditshme e papushim derisa liria e çdo shqiptari të jetë e pacënuar dhe e garantuar; një bashkim për brezat e ardhshëm, në përpjekjet për Shqipërinë europiane dhe demokratike; si thirrja më e lartë dhe nderimi më i madh për sakrificën e heronjve dhe martirëve të lirisë dhe të pavarësisë.

Partia Demokratike e Shkodrës uron të gjithë shqiptarët, e në veçanti bashkëqytetarët tanë: Gëzuar ditën që bashkon të gjithë shqiptarët, ditën e Flamurit, ditën e Pavarësisë! Gëzuar këtë festë të madhe të lirisë e të sakrificës për atdheun tonë!

Artikulli paraprakTRE SHQIPTARË PLAGOSEN NË ITALI, NJËRI NË GJENDJE KRITIKE
Artikulli tjetër28 NËNTORI/ BASHA HOMAZHE TEK MONUMENTI I NËNËS SHQIPËRI: DITA MË E BUKUR E KOMBIT TONË!