Dekretimi i ligjit për Komisionet hetimore Parlamentare nga Presidenti i vendit ngjalli reagime të ashpra nga opozita. Ndërkohë që pas reagimit të Edi Ramës, ku tha se Presidenti nuk merr urdhra nga qeveria, kësaj deklarate i është përgjigjur kreu i grupit parlamentar i PD, Gazment Bardhi.

“E kuptojmë plotësisht që Edi Rama nuk e fsheh më rolin e tij, edhe si president i Republikës! Ai na tregon çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëjë presidenti i Republikës.

Avokatia ndaj aktit antikushtetues, të njëanshëm dhe të turpshëm të presidentit të Republikës, provon atë që opozita thotë: Edi Rama është urdhëruesi i shpalljes së ligjit sot, me justifikimin absurd të shkruar në arsyetimin e Presidentit që Edi Rama nuk dëshiron të rishohë ligjin. Edhe që Edi Rama nuk dëshiron të rishikohet ligji, e kuptojmë, sepse është ai që ka bllokuar kontrollin parlamentar ndaj ekzekutivit. Si mund të jetë dakord Edi Rama që të kontrollohet ndërhyrja e paligjshme në sistemin TIMS, për të fshirë lidhjet e vllait të tij, Olsi Rama, me trafikun e drogës në dosjen “Xibraka”; si mund të jetë dakord Edi Rama të kontrollohet që, në kontratat koncesionare të shëndetesisë, miliona euro shkojnë në xhepat e Ilir Beqajt dhe jo për shërbime shëndetësore për qytetarët shqiptarë; si mund të jetë dakord Edi Rama të kontrollohet zbatimi i ligjit për investimet strategjike, me të cilin ka shpallur investitor vetëm miq e shokë të tij, përfshirë trafikantë droge e urdhërues vrasjesh?! Koha kur Shqipëria pretendonte të ishte si gjithë Europa, po perëndon gjatë qeverisjes së Edi Ramës. Tani jemi në garë nëse do t’u bashkohemi standardeve të Rusisë apo Koresë së Veriut. Opozita po bën betejë që kjo të mos ndodhë dhe jemi të vendosur për t’u përballur, që të mos lejojmë ta zëvendësojmë demokracinë me autokracinë!”, shprehet Bardhi.

Artikulli paraprakBEGAJ DEKRETOI LIGJIN PËR KOMISIONET HETIMORE, RAMA: KA MBARUAR KOHA KUR PRESIDENTI PËRDORTE KUSHTETUTËN SI KOKTEJ
Artikulli tjetërRAMA KONFERENCË ME HOMOLOGUN BAVAREZ: EMIGRACIONI I PALIGJSHËM KËRKON REAGIM TË PËRBASHKËT NGA FAMILJA E BE-SË!