Barcelona realizon përmbysjen e madhe, atë që paralajmëroi Luis Enrique dje në konferencën për shtyp, por që askush nuk e besoi.

90 minuta të çmendura, të mbushura me emocion, prodhuan kualifikimin historik për ekipin e Barcelonës. Ekipi katalanas e nisi mjaft mirë ndeshjen duke shënuar që në minutën e pestë me Suarez dhe pas autogolit të Kurzawa, mbyllën pjesën e parë me dy gola avantazh. Edhe fillimi i pjesës së dytë ishte vazhdim i të parës, pasi Messi shënoi nga pika e penalltisë në të 50-ën dhe dërgoi shifrat në 3-0. Përmbysja e madhe ishte vetëm 1 gol larg dhe të gjithë filluan të besonin. Futbollistët e Barçës u hodhën në sulm në kërkim të golit të radhës, por “harruan” të mbrohen dhe Edison Cavani u duk se vrau shpresat e kualifikimit duke shënuar në minutën e 62-të një gol sa për dy, pasi tashmë katalanasve ju duheshin edhe 3 gola të tjerë për t’u kualifikuar. Megjithatë, katalanasit besuan deri në fund dhe arritën të shënojnë edhe dy gola të tjerë me anë të brazilianit Neymar, në minutën e 88’ dhe 90’, dhe qershia mbi tortë, goli i Sergio Robertos, në minutën e pestë shtesë, që i dha kualifikimin historik.

Artikulli paraprakZJARR NË NJË JETIMORE, 22 TË VDEKUR, DHJETRA TË PLAGOSUR
Artikulli tjetërBBC RAPORTON PËR PROTESTËN E GRAVE NË PRISHTINË