
Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka reaguar me tone tejet të ashpra ndaj protestave që po paralizojnë kryeqytetin. Gjatë një deklarate publike, e cila nisi si një diskutim për kushtet ekonomike dhe studentët, theksi u zhvendos menjëherë te situata kaotike në rrugët e Tiranës.
Kreu i qeverisë e ka cilësuar revoltën si një “turmë agresive” që po shkatërron normalitetin e jetës. Sipas tij, qytetarët e thjeshtë duan vetëm të vazhdojnë rutinën e tyre të qetë: të dërgojnë fëmijët në shkollë, të shkojnë në punë dhe të mbajnë hapur bizneset deri në darkë, pa u ndier të terrorizuar nga kaosi.
“Duan të çojnë fëmijët në shkollë, të shkojnë në punë, të mbajnë hapur dyqanet deri në darkë, të shëtisin në mbrëmje të patrazuar, shkurt duan të jetojnë pa qenë të detyruar të ndryshojnë rendin e ditës së tyre për shkak të një turme agresive ndaj normalitetit të Tiranës.
A mund t’u imponohet të gjithëve një turmë e cila pasi ka ardhur me muaj të tërë vërdallë nëpër Tiranë, duke xhiruar përnatë rrugët e qendrës me britma dhe të shara dhe duke shqetësuar njerëzit e ulur nëpër kafene, brenda në dyqane, restorante ose lart nëpër shtëpi, apo duke u jashtënxjerrë në kryqëzime për të bllokuar trafikun, duke bullizuar dhe goditur drejtues automjetesh të penguar në rrugën e tyre, pa pyetur fare për lirinë dhe për të drejtat e askujt tjetër, shpërthen.
Shpërthen në një furi dhune, me gurë dhe me zjarr, kundër qytetit, kundër institucioneve, kundër dyqaneve”-tha Rama.


