Edhe pak ditë na ndajnë nga “Dita Botërore e Rinisë”
Normalisht kjo ditë gjen kuptim në vendet e botës së zhvilluar tashmë përmes
organizimeve të ndryshme. Po rinia e Shqipërisë time a e njeh këtë ditë?
Çdo i ri i detyrohet vetes dhe botës që të japë nga vetja maksimumin e gjërave…
Në mendësinë shqiptare, kujdesi për, fëmijët, adoleshentët e të rinjtë shpesh është i
kufizuar në ofrimin e ushqimit, sigurisë, edukimit. Por zhvillimi i të rinjve dhe prosperiteti
nuk do të thotë vetëm kaq. Ka më shumë për të bërë, ka më shumë për të ofruar.

Përposë këtyre kujdesi për fëmijët do të thotë orientim në karrierë që në fëmijëri, do të thotë
krijimi i modelit të mirë të komunikimit ndërnjerëzor, do të thotë transmetimi i vlerave
përmes bërjes së gjërave bashkë me ta.
Po të rinjtë vetë çfarë pretendojnë?
A mjafton dashuria dhe kujdesi i familjes?
A duhet shoqëria dhe strukturat vendore të japin kontributin e tyre për të ardhmen e
rinisë që nënkupton të ardhmen e vendit?
Sjellja dhe qëndrimi social i të rinjve duhet të integrohen në kurrikulat shkollore dhe të
jenë pjesë e qëllimit të strukturave lokale si dhe të OJF-ve që operojnë në qarkun e
Shkodrës.

➢ Para së gjithash, të rinjtë duhet të dëgjohen, ata duhet të shprehin nevojat, dëshirat,
interesat e tyre.
Organizatat e Shoqërisë Civile kanë kontribuar për një kohë të gjatë në angazhimin e
adoleshentëve dhe të rinjve duke i kthyer interesat që ata kanë në prioritete të punës së
tyre. Në këtë aspekt, krijimi i një mjedisi miqësor për fëmijët dhe të rinjtë është një nga
standardet e punës për shumë organizata. Konventa e të Drejtave të Njeriut prezanton të
drejtat themelore, pjesë e të cilave janë fëmijët dhe të rinjtë, të cilët kanë të drejtë të
shprehin pikëpamjet e tyre dhe që ato të merren parasysh nga njerëzit që marrin vendime
për ta. Në veçanti, mosha 10 -20 vjeç duhet të jetë pjesë e paketës së integruar në fushën
e edukimit seksual dhe shëndetit riprodhues.

Organizatat rinore nder vite kanë zbatuar një sërë projektesh për zhvillimin e kapaciteteve
duke filluar nga mosha 14 vjeç e lart duke synuar fuqizimin e adoleshentëve dhe të rinjve
në adresimin e nevojave të tyre, duke i mësuar ata se si të formulojnë peticionet, duke i
udhëhequr ata përmes procesit të suksesshëm të avokimit, duke krijuar kështu ambiente
për të rinj më të fortë që mund të ndërmarrin hapa aktivë dhe të jenë qytetarë aktivë.

➢ Së dyti, të rinjtë duhet të merren në konsideratë, të përfshihen, të vlerësohen për
kontributin e tyre.Organizatat dhe qendrat rinore që fokusohen në punën më rininë ftojnë adoleshentët
dhe të rinjtë të marrin pjesë në forume rinore gjatë të cilave ata të identifikojnë
shqetësimet kryesore që lidhen me aksesin e shërbimeve në fusha të ndryshme. Vetë të
rinjtë kanë folur për problemet me të cilat përballen në jetën e përditshme që kanë të
bëjnë me fushat kryesore të veprimtarisë: Shëndetësia, Arsimi, Papunësia dhe
vullnetarizmi, Ekonomia dhe Mjedisi.
Puna vullnetare duhet të rregullohet me ligj
Hapja e vendeve të punës për të rinjtë e orientuar drejt profesioneve që kërkohen
Institucionet lokale duhet të zhvillojnë politika dhe shërbime më miqësore veçanërisht
për të rinjtë në mënyrë që të ndërtojnë besim
Zhvillimi i politikave që inkurajojnë punën me kohë të pjesshme për të rinjtë
Shërbime shëndetësore miqësore për të rinjtë
Shërbimi i Këshillimit të Karrierës në strukturat vendore është një nevojë që duhet
plotësuar
Shërbimi i psikologut duhet të jetë funksional në çdo shkollë
Përmirësimi i standardeve të higjienës në shkolla
Krijimi i laboratorëve në shkolla
Krijimi i parqeve rinore dhe qendrave rinore në territorin e bashkisë edhe në zonat
periferike dhe në njësitë administrative
Transport publik që favorizon lëvizjen e sigurtë të të rinjve në njësitë administrative I
shtrirë në një afat kohor miqësor për të rinjtë
Mbështetje për sportet dhe këndet sportive publike në lagje
Buxhetimi me pjesëmarrje për të rinjtë
Por vetëm fjalët dhe pjesëmarrje në takime janë pa vlerë nëse nuk ndodhin ndryshimet!

➢ Së treti të rinjve u duhet dhënë përgjegjësi dhe ata mund të dëshmojnë se kanë të
drejtë! Këto pika që trajtojnë pothuajse çdo aspekt të jetës së të rinjve janë shkruar në një
dokument për t’u dorëzuar në strukturat e pushtetit vendor në Departamentin e
Shërbimeve Sociale. Gjithashtu përfaqësuesit e kësaj zyre kanë qenë të ftuar në tryeza të
rrumbullakëta ku janë takuar me të rinjtë dhe kanë mësuar për nevojat e tyre.
Të shtrish dorën për bashkëpunim do të thotë të marrësh përgjegjësi për veprim dhe
ndjekje. Një sërë përfaqësuesish të OJQ-ve, të rinj dhe zyrtarë të strukturave vendore
kanë finalizuar procesin e advokimit dhe kanë kuptuar se për të pasur një rini të
shëndoshë në Qarkun e Shkodrës është e rëndësishme ngritja e zyrës së shërbimit të
këshillimit të karrierës veçanërisht për të rinjtë në për të shkëmbyer informacione për
politikat e reja të komunës në aspektin e arsimit, punësimit, shërbimeve shëndetësore.
Politikat e reja sociale parashikojnë një sërë veprimesh që do të ndërmerren në kuadër të
përmirësimit të shërbimeve për të rinjtë me aftësi të kufizuara. Duhet të ndërtohet besimi
dhe është kërkuar bashkëpunimi nga OJQ-të si faktor i rëndësishëm për mbarëvajtjen e
punës në këtë aspekt.

Një tjetër domosdoshmëri për pjesëmarrje aktive të rinisë në vendimarrjen lokale që të
ndjehen pjesë është krijimi i këshillit rinor vendor me përbërjen e një grupi të rinjsh që
luajnë rolin e edukatorit të bashkëmoshatarëve për edukimin mbi funksionimin e
institucioneve vendore, gjë që u mirëprit nga strukturat vendore.

Gjithashtu hapja e qendrës rinore publike ka krijuar mundësi që të rinjtë të angazhohen
e të jenë të përfshirë në jëtën sociale duke siguruar që politikat e reja të bashkisë të jenë
premtuese për shërbime më miqësore dhe më të favorshme për rininë.
Mbi të gjitha këto, shqetësimi kryesor për shoqërinë tonë mbetet papunësia tek të rinjtë,
një handikap pa zgjidhje prej disa vitesh tashmë që ka krijuar precedencën edhe për
brezat e ardhshëm.

Pamundësia për instalimin e mekanizmave të qëndrueshëm që kanë qëllim punësimin e
të rinjve ka krijuar plagë ekonomike dhe sociale duke bërë që një numër i konsiderueshëm
të largohen nga vendi sapo marrin diplomën por ka dhe nga ata që nuk e presin atë. Dhe
kjo ështe ajo që dhemb më shumë e të shkund kur sheh me sytë e tu ikje sistematike të
të rinjve. Ikin për më mirë, ikin për një realitet ndryshe, më shumë shërbime të dedikuara
për ta, më pak paragjykime, më shumë mundësi për punësim e angazhim. Ikin për një
pavarësi të tyre në çdo drejtim! E ne na mbetet veç t`i shohim teksa largohen?! Cdo qelizë
e jona, e brezit te rritur, thërret për të kundërtën me shpresën se realiteti yne i hidhur do
të ndryshojë për mirë në dobi të shoqërisë e të vendit.

Artikulli paraprakSHKENCËTARËT PO LUFTOJNË PËR TË SHPËTUAR ‘ZEMRËN BLU’ TË EVROPËS
Artikulli tjetërSTABILIZOHET MOTI, JA SA DO TË SHKOJNË TEMPERATURAT DITËN E SOTME