Partia Demokratike e Shqipërisë përfundoi thuajse në të gjitha bashkitë e vendit procesin e primareve teksa antarësia votoi për kandidatët e ardhshëm për kryetar në 61 bashkitë e vendit. Kështu Bardh Spahia do të jetë sërish kandidat i PD për bashkinë Shkodër në zgjedhjet vendore të 14 majit. Kryebashkiaku i Shkodrës u konfirmua si kandidati i ardhshëm pasi u votua me 1386 vota pro në procesin e primareve ndërsa ishte kandidati i vetëm në këtë garë për PD-në e Shkodrës. Vetëm 6 vota ishin kundër Bardh Spahisë dhe 5 të tjera dolën të pavfleshme.

Të drejtë vote në PD Shkodër kishin mbi 4 mijë anëtar por votuan 1397 të tillë sepse gara ishte me vetëm një kandidat duke qenë një proces formal. Ndërkohë në bashkinë Vau Dejës si kandidat i ardhshëm i PD atje u konfirmua Zef Hila i cili në vazhdimësi do të duhet të lërë mandatin e deputetit. Hila mori 722 vota ndërsa përballë kishte kandidatin që vjen nga radhët e të rinjve, Kolë Shaben i cili mori 142 vota, të pamjaftueshme për të qenë ai kandidati i PD në bashkinë Vau Dejës.

Në vend të deputeti Hila do të duhej të futej në Kuvend nga radhët e PD, Bardh Spahia por kryebashkiaku i Shkodrës do garojë në zgjedhjet vendore sërish dhe kështu pas tij renditet Lodovik Hasani, i cili do të marrë mandatin e deputetit për afro dy vite e gjysëm. Në Pukë fitues i primareve të PD u shpall Rrok Doda ndërsa gara atje ishte e fortë sepse ishin edhe tre kandidatët e tjerë, Demir Hyseni, Agim Kuçi dhe Ndue Suma por Doda mori mbi 50% të votave duke u konfirmuar si kandidat i PD për bashkinë Pukë në zgjedhjet e 14 majit. E vetmja bashki ku gara rezultoi më e forta është Fushë Arrësi.

Mes pesë kandidatëve në primaret e PD në Fushë Arrës asnjëri prej tyre nuk arriti që të marrë mbi 50% të votave ndërsa dolën në balotazh kandidatët Hil Kola dhe Hil Curri të cilët morën më shumë vota se tre kandidatët e tjerë Dedë Bajraktari, Nikë Nika dhe Pjetër Qafa. Balotazhi për Fushë Arrësin pritet të zhvillohet javën e ardhshme. E vetmja bashki e qarkut Shkodër që nuk pati primare është bashkia Malësi e Madhe.

Atje fillimisht u regjistruan si kandidat Isa Rama dhe Ferdi Sterkaj por Komisioni i PD në qendër i përjashtoi të dy pasi më përpara u prish procesi i zgjedhjeve për kryetar të PD dhe kandidat atëherë ishin sërish këta dy emra. Në këtë mënyrë kandidati për kryetar bashkie i PD në Malësi të Madhe do vendoset nga selia qëndrore e PD ose opsioni tjetër është që primaret e Malësisë së Madhe të zhvillohen në një moment të dytë.

 

Artikulli paraprak“MUAJT NË VIJIM SFIDUES”, GUVERNATORI SEJKO: ANGAZHIMI YNË, PËR STABILITETIN E ÇMIMEVE
Artikulli tjetër“NGA MACRON, MELONI E SCHOLZ …TË GJITHË NË TIRANË”/ JA LIDERËT QË PRITET TË VIJNË NESËR PËR SAMITIN E BE-SË