Prokuroria: Mark Frroku ka 2 mln $ pasuri të pajustifikuar .Ish-deputeti: Ekspertiza, e njëanshme

Ish-deputeti: Ekspertiza, e njëanshme Mes replikave dhe tensionit në sallë për afro 1 orë ekspertja e Prokurorisë së Përgjithshme Greta Danku është përballur me avokatët dhe të pandehurin Mark Frroku për mënyrën se si ajo ka llogaritur pasurinë e ish-deputetit e cila sipas Prokurorisë është e pajustifikuar në vlerën e 2 milion dollarëve. Sipas ekspertes e cila para gjykatës pranoi se nuk kishte një licensë por një diplomë në finance kontabilitet, përllogaritjet e saj janë bazuar në dokumentet që asaj i janë vënë në dispozicion nga Prokuroria dhe oficerët e Policisë Gjyqësore. Por për mbrojtjen e ish deputetit Frroku, ekspertiza e Greta Danku është e paplotë e njëanshme dhe kjo përbën shkak për caktimin e një eksperti të pavarur. Vetë Frroku i pranishëm në sallë kërkoi që gjykata të mos marrë për bazë vlerësimet e ekspertes pasi ajo nuk ka tagër ligjor për të kryer këtë punë. Nga ana e saj, Danku u shpreh se është e punësuar në Prokurorinë e Përgjithshme prej dhjetorit të vitit 2015 dhe pasja e një license ekspert kontabël nuk ka qenë kusht për punësimin e saj. Frroku është nën akuzë për vrasjen e shtetasit Aleksandër Kurti 17 vite më parë në Belgjikë, deklarim të rremë të pasurisë dhe fshehje të të ardhurave si dhe ndërtimin e paligjshëm. Përsa i përket burimit të pasurisë, Frroku u shpreh se ai dhe familja e tij prej vitit 1991 dhe deri sot kryejnë aktivitete të ndryshme biznesi në vend dhe ato janë të ligjshme dhe s’ka patur asnjëherë arsye të fshehë pasurinë dhe pse po të donte mund ta bënte shumë lehtë.

Artikulli paraprakKOTZIAS: QEVERIA SHQIPTARE NUK MUND TË LUAJË ME NACIONALIZMA
Artikulli tjetërDIXHITALIZIMI, DEPUTETËT: DO TË NDIHMOJMË TV LOKALE PËR TARIFAT