Pas trajtimit të problematikës ditën e djeshme në Star Plus, banorët janë ngritur sot në protestë, duke kërkuar një zgjidhje urgjente për gjendjen e urës së “Ded Hilit” që lidh fshatin Bardhaj me Bleranin. Pjesa e këmbës dhe shpatullës së urës janë shembur, ndërsa rrezikon të shembet plotësisht. Sipas banorëve, rreth 150 fëmijë detyrohen çdo ditë të ecin mbi 4 kilometra në këmbë për të shkuar në shkollë, pasi furgonët e transportit nuk mund të kalojnë mbi urë për shkak të rrezikut.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përkatëse.

Ata thonë se ndihen të harruar nga pushteti, duke shtuar se problemi i tyre nuk kufizohet vetëm tek ura, por edhe tek rruga e amortizuar dhe rrjeti elektrik.

Ura e “Ded Hilit” shërben si vetmja dalje dhe hyrje për rreth 600 banorë të fshatit Bleran dhe Bardhaj drejt qytetit të Shkodrës.

Ndërkohë, pavarësisht kërkesës së dërguar ndaj autoriteteve përkatëse 10 ditë më parë për vendosjen e një ure të re ‘Bailey (Beili) në këtë zonë, ende vijon të mos merret asnjë masë edhe pse banorët përballen çdo ditë me rrezikun.

 

Artikulli paraprakKONFISKOHEN 3 PASURI NË ISHULL-SHËNGJIN
Artikulli tjetërRADHË PËR TËRHEQJEN E BONUSIT NË LEZHË