Organet shtetërore kanë nisur aksionin për të evidentuar të gjitha burimet ujore të vendit. Dje në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese është diskutuar projektligji që bën ndryshime në ligjin aktual për menaxhimin e integruar të burimeve ujore, i cili është në fuqi që nga viti 2012. Sipas ndryshimeve, burimet ujore në vend parashikohet të menaxhohen në mënyrë të përqendruar nga një institucion i vetëm: Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore. Por, për këtë, duhet të shmanget më parë mbivendosja e detyrave dhe përgjegjësive me organe të tjera të pushtetit vendor, si dhe me ujësjellësat, që janë ndërmarrje publike por me aksionerë të ndryshëm.

Sipas dikasterit të Bujqësisë, në gjithë vendin tashmë janë të identifikuar të gjitha burimet ujore, duke filluar nga ato që sjellin vetëm një litër në 10 sekonda. Por, një nga detyrat kryesore që parashikohet të marrë institucioni i ri është pikërisht evidentimi i një morie jashtëzakonisht të madhe pusesh, të cilat janë hapur pa i marrë leje askujt, ndonëse ujërat nëntokësore janë pronë e shtetit. Tashmë parashikohet që Agjencia, jo vetëm që do të krijojë një hartë të plotë të të gjithë puseve, që janë në përdorim të familjeve, në qytete e fshatra – një punë kjo shumë voluminoze – por edhe do të përpiqet të futë sektorin në binarët e formalitetit, duke detyruar përdoruesit që të paguajnë për ujin që nxjerrin nga puset e tyre.

Në përputhje me politikat aktuale të qeverisë për investimet me partneritet publik-privat, në këtë ligj parashikohet edhe mundësia për të përdorur koncesionin. Në rastin e aplikimit për koncesione në këtë fushë, duhet marrë leje nga Këshilli Kombëtar i Ujit. “Aplikanti ose kërkuesi i koncesionit qoftë i kërkuar apo i pakërkuar, ka dorëzuar një aplikim dhe përballë ka shtetin. Ai nuk do t’ia dijë është agjenci, këshill, drejtori, sektor i ujit. Ai e ka dorëzuar te shteti dhe këto punë të tjera duhet t’i bëjë shteti brenda vetes vet dhe s’ka pse ai të aplikojë në avancë sepse ne e dimë në Shqipëri aplikim do të thotë kontakt fizik, kontakt fizik do të thotë ryshfet dhe korrupsion”, saktëson projekligji.

Politikat për menaxhimin e integruar të burimeve ujore parashikohet të jenë në kompetencë të plotë të Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit, institucion ky që do të pësojë ndryshime.

Reforma

Sa më sipër është vetëm një pjesë e reformës së ujit. Fillimisht, përdoruesve të ujit iu ishte lënë afat deri në fund të janarit që të kryenin lidhjet e munguara apo për të lidhur kontratat me ndërmarrjet përkatëse. Në të kundërt, do të ketë sanksione të ashpra, si në rastin e reformës që u krye para disa vitesh në fushën e energjisë elektrike. Ndërkohë, ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri njoftoi se për familjarët ky afat do të shtyhet deri në fund të shkurtit, ndërkohë që nuk do të ketë shtyrje të tjera për bizneset. Ndërkohë, janë mbi 270 mijë familje apo subjekte që ende nuk kanë një matës.

Artikulli paraprakAKSIDENT I RENDE ,PËRMBYSET MAKINA, DY TË PLAGOSUR
Artikulli tjetërDRITAN DEMIRAJ ZGJIDHET DREJTUES I QËNDRËS STUDIMORE GEORGE C. MARSHALL ALBANIA