Delegacioni shqiptar i kryesuar nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit Evis Kushi kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me universitetin shtetëror të Miçiganit për programe dhe projekte të përbashkëta.

Rama u shpreh se ky program do u krijojë të rinjve dhe të rejave kushte për studime të nivelit të lartë pa u larguar domosdoshmërisht nga Shqipëria. Ai theksoi se ky bashkëpunim ka ardhur si pasojë e miqësisë së pedagogëve të këtij universiteti në Afganistan që janë strehuar në Shqipëri pas marrjes së pushtetit nga talibanët.

“Ishte një vizitë e jashtëzakonshme. Interesi për të krijuar një lidhje mes këtij universiteti të famshëm dhe prestigjioz të SHBA dhe universitetit bujqësor të Shqipërisë dhe jo vetëm. Kemi firmosur një marrëveshje mirëkuptimi dhe drejtueses së programeve ndërkombëtare të këtij universiteti në fillim presim një vizitë pune për të krijuar një tjetër hapësirë për studentët tanë që të mund të qëndrojnë në Shqipëri dhe të studiojnë me kushtet që ofrojnë universitetet e huaja.

Kjo është një miqësi që lindi nga një tjetër miqësi mes universitetit të Miçiganit dhe proferosrëve të këtij universiteti në Miçigan që ne i kemi strehuar në Shqipëri. Në këtë mënyrë kemi hapur një derë të re me miq dhe partnerë të rinj që do të sjellin në Shqipëri më shumë dije dhe më shumë mundësi për studentët tanë”, u shpreh Rama.