Ditën e sotme do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për zgjedhjen e presidentit të ri për të përcaktuar datën për raundin e dytë, i cili duhet të jetë brenda 7 ditësh, pra deri më 24 maj.

Raundi i parë u ezauarua pa asnjë emër konkret për presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Kjo bëri që seanca plenare e ditës së djeshme të ishte më e shkurtra pasi zgjati rreth 5 minuta pasi nuk kishte asnjë emër për të cilin mund të diskutohej.

Ndonëse nuk kishte asnjë kandidat për t’u votuar, sipas Kushtetutës së Shqipërisë ky quhet si një raund votimi i ezauruar për t’ia lënë vendin katër raundeve të tjera.

Kryeministri Edi Rama në përfundim të seancës tha se nuk sheh asnjë vullnet nga pala tjetër për këtë proces. Ai shtoi se shumica do të presë deri në raundin e tretë për një dakordësi, në raundin e katërt do e zgjedhin vetë, duke evidentuar që në këtë proces mazhoranca po has vështirësi sepse nuk di kë ka përballë e me kë duhet të negociojë, referuar opozitës së përçarë.

Ditën e djeshme, në Komisionin e Ligjeve, kreu i grupit parlamentar “Aleanca për ndryshim”, Fatmir Mediu i bëri thirrje opozitës që të bjerë në konsensus në mënyrë që të fillojnë të flasin me emra për presidentin.

Si zgjidhet presidenti i ri

10 maji është data e konsideruar si nisja e procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës ndaj maksimumi brenda gjysmës së dytë të qershorit do të kemi një President të ri Republike. Sipas Kushtetutës procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës në Kuvend nis jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Presidentit aktual. Domethënë në rastin konkret maksimumi duhet të ishte data 24 maj, pasi mandati i Metës mbaron më 24 korrik.

Tashmë është koha e propozimit zyrtar të kandidaturave, një grup me jo më pak se 20 deputetë ka të drejtën t’i propozojë Kuvendit kandidaturën për President të Republikës së Shqipërisë. Një deputet nuk mund të propozojë më shumë se 1 kandidat për Presidenti. Kushtetuta përcakton se janë pesë raunde për zgjidhjen e Presidentit. Në tre raundet e para kërkohet një shumicë prej 3/5, 84 vota, ndërsa në dy e tjera, të katërtin dhe të pestin, presidenti mund të zgjidhet me 71 vota.

Raundet nga njëri tjetri duhet të zhvillohet brenda 7 ditëve, që do të thotë se Presidenti i ri i Republikës maksimalisht në gjysmën e dytë të muajit qershor do të jetë i zgjedhur, duke qenë se data e fillimit të procesit është konsideruar data 10 maj. Votimi për secilin raund bëhet i fshehtë dhe pa debate.

Artikulli paraprakHACKERAT RUSË SULMOJMË EUROVISIONIN, KËRCËNOJNË ME SULM GLOBAL KIBERNETIK
Artikulli tjetërDY VITE NGA SHEMBJA E TEATRIT KOMBËTAR, BASHA: MBETET PLAGË E HAPUR NË ZEMËR TË TIRANËS