Shefi i Sigurisë Ajrore në Komandën e Forcave Ajrore në Farkë Nënkolonel Altin Lame është shkarkuar nga detyra në lidhje me aksidentin tragjik të rrëzimit të helikopterit ushtarak në Liqenin e Shkodrës ku humbën jetën dy pilotë dhe një ushtar profesionist mbeti i plagosur.

Ministria e Mbrojtjes ka nisur kështu të marrë masa për hetimin administrativ për ngjarjen e 6 prillit.  Sipas listës zyrtare Lame ishte zyrtari i fundit në bazën e Farkës, që firmoste lejen e fluturimit dhe konfirmonte kontrollin e pilotëve që do të niseshin me mision trajnues. Por sipas burimeve të besueshme, prania e tij në detyrë ka qenë fiktive pasi është verifikuar se Lame në fakt atë ditë rezulton të ketë qenë i angazhuar si pilot në një agjenci private fluturimi. Mësohet se ky raportim për përfshirjen e një ushtaraku në fluturime private po hetohet edhe nga prokuroria e Shkodrës që ka në dorë dosjen hetimore për rrëzimin e helikopterit ushtarak. Rregullorja ushtarake e ndalon në mënyrë kategorike përfshirjen e pilotëve të Forcave Ajrore të përfshihen në fluturimeve private. Ndërkaq, për të zbardhur të vërtetën e aksidentit ajror të 6 prillit, prokuroria e Shkodrës është në pritje të ekspertizzës së kartës së memories së helikopterit “EC 145”. Nga rrëzimi i helikopterit ushtarak humbën jetën Donald Hoxha dhe Florian Deliu, ndërsa ushtari Gerald Baramuça mbeti i plagosur, por pretendon se nuk mban mend asgjë nga dita e aksidentit.

/ Star Plus TV /

Artikulli paraprakBASKET MESHKUJ, VLLAZNIA FITON FINALEN E PARË ME TEUTËN
Artikulli tjetërNDAHET NGA JETA IMZOT LUÇJAN AVGUSTINI, JA KUSH ISHTE IPESHKVI I DIOQEZËS SË SAPËS