Nesër, Rudina Hajdari ka paralajmëruar një konferencë për mediat, pas përçarjes që është krijuar brenda grupit parlamentar demokrat, që në një vendim që deri më tani sipas saj flitet të jetë i paligjshëm, e kanë shkarkuar nga detyra e kryetares duke ja kaluar postin Korab Litës.

Por në një reagim që ka bërë sot në Facebook, ajo lë të kuptohet se pas gjithë kësaj situate fshihet një skenar kërcënimesh.

Hajdari ka publikuar një shkresë të ditës së djeshme 14 tetor, me firmë të deputetes Fatjona Dhimitri, firmëtare në shkresën që Korab Lita të bëhej kryetar grupi, ku njofton kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, se është tërhequr nga kjo firmë.

Rudina Hajdari thotë se deputetes i është ushtruar presion nga Korab Lita, dhe se ka edhe pamje të Kuvendit të cilat ajo do t’i çojë në prokurori, që e faktojnë këtë pretendim.

“Përveç një protagonizmi të shëmtuar mediatik, Korab Lita dhe gangsterët e tij, kanë ushtruar presion ndaj deputetëve, përfshirë edhe zj. Fatjona Dhimitri, e cila ka firmosur, për tërheqjen e këtij puçi. Pamjet filmike të disponuara nga zyrat e Kuvendit do t’i çohen Prokurorisë”, shkruan Hajdari.

Artikulli paraprakALARM PËR BOMBË NË MAKINËN E GJYQTARIT
Artikulli tjetërNDALOHEN 22 KLANDESTINË NGA LINDJA E MESME, MES TYRE 10 FËMIJË