Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se, “gjatë vitit 2023, veprimtaria e sektorit bankar shënoi një rritje me 3%, në terma të totalit të aktiveve dhe depozitave të klientëve dhe portofoli i kredisë shfaqi rritje të dominuar nga kredia në monedhën vendase dhe kredia për prona të patundshme”. Në takimin që zhvilloi me përfaqësues të medias, analistë të njohur të shtypit të shkruar e medias elektronike në Shqipëri, Sejko vlerësoi rolin e medias në informimin e publikut, teksa shprehu besimin në profesionalizmin e gazetarëve, që siç tha ai, “kanë ndihmuar në një transmetim më efikas të politikës monetare në ekonomi dhe në forcimin e stabilitetit të sektorit bankar shqiptar”. Duke u ndalur në përparësitë e industrisë bankare gjatë vitit 2023, Guvernatori vuri në dukje se, “deri në shtator, kredia kapërceu vlerën prej 720 miliardë lekësh, ndërsa depozitat e klientëve në banka kapërcyen vlerën 1,556 miliardë lekë, shifra që tregojnë se sektori ka burime të mjaftueshme, për financimin e ekonomisë”.

“Niveli i kredive me probleme qëndroi në 5.1 %, por pozitiv është fakti që niveli i mbulimit me provigjione të këtij portofoli është rritur në 71 % (nga 67 % vitin e kaluar). Niveli i kapitalizimit të sistemit bankar vijoi të rritet edhe këtë vit, në 19.63 %. Ndërsa zhvillime mjaft pozitive kemi pasur edhe në përmirësimin e infrastrukturës së pagesave, ndihmuar edhe nga përmirësimi i kuadrit rregullator në fushën e sistemeve të pagesave. Për të dytin vit radhazi, sistemi AIPS Euro tashmë po vijon të japë frytet e tij në sistemin bankar dhe në ekonominë shqiptare”, u shpreh Guvernatori.

Sejko tha se, transaksionet ndërbankare në euro për klientë brenda vendit janë rritur rreth 42 % në 11 muajt e parë të vitit 2023. Përfitimet për aktorët ekonomikë janë rritur ndjeshëm, duke i kursyer ekonomisë shqiptare të paktën 22 milionë euro. Përdorimi i sistemit, përtej reduktimit të kostove të transaksioneve, ka ndikuar në shkurtimin e kohës së nevojshme dhe kostove për administrimin e parasë fizike. Sejko tha se sot mbi 70 % e popullsisë ka një llogari bankare dhe të tjera zhvillime pozitive vijnë edhe nga zgjerimi i përdorimit të pagesave elektronike, ku me përfundimin e Strategjisë Kombëtare për Pagesat në Vlerë të Vogël, numri i pagesave elektronike për frymë në vit është gati dyfishuar në 18, përkundrejt objektivit prej 10 pagesash.

“Krahas forcimit të industrisë bankave në fokus të punës tonë është intensifikimi dhe zgjerimi i bashkëpunimin në kuadër të zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Edukimit dhe Përfshirjes Financiare, një mekanizëm ky thelbësor për maksimizimin e efekteve të pritshme nga masat e marra deri më tani në kuadër të digjitalizimit dhe përfshirjes financiare”, tha Sejko./ATA

Artikulli paraprakKËSHILLI I MANDATEVE MIRATOI KËRKESËN E SPAK PËR BERISHËN, REAGON PD
Artikulli tjetërPËRGATITUNI TË PËRJETONI EMOCIONE TË FORTA, ÇFARË THONË YJET PËR JU SOT