VLLAZNIA AKOMA NË MËSHIRË TË FATIT, SKUADRËS PO I LARGOHEN LOJTARËT. Është hedhur shorti i kampionatit të 77 kombëtar për Kategorinë Superiore. Edhe në këtë sezon, kategoria më e lartë e futbollit shqiptar do të ketë 10 skuadra dhe katër faza. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, përpara hedhjes së shortit ka sqaruar se dy skuadrat që janë futur në këtë sezon në Kategorinë Superiore, Tërbuni i Pukës dhe Bylisi i Ballshit, ende nuk kanë marrë licencimin nga FSHF-ja për zhvillimin e ndeshjeve të kësaj kategorie për sezonin që do të fillojë. Sipas tij, këto dy skuadra nuk kanë infrastrukturë dhe kanë probleme organizimi të ndeshjes.

Nëse nuk do të plotësohen kushtet deri më 31 korrik, atëherë këto skuadra do të zëvendësohen me dy të tjera që plotësojnë kushtet nga Kategoria e Parë. Më pas, është hedhur normalisht shorti me përcaktimin e një numri identifikues për secilën prej 10 ekipeve. Për momentin, nga FSHF-ja është përcaktuar vetëm data e fillimit të kampionatit që do të jetë 22 gushti. Datat e tjera do të përcaktohen nga Komiteti Ekzekutiv në ditët në vazhdim. Ndërkohë Vllaznia duket në një situatë të paparashikueshme. Varësia nga bashkia e qytetit ka bërë që punët në klubin e futbollit të jenë rrëmujë e të vonuara, meqë është fushatë zgjedhore. Edhe pse këshilli bashkiak alokoi 100 milionë lekë të vjetra për merkaton dhe gjëra të tjera në funksion të skuadrës, nuk ka ndryshuar gjë. Përkundrazi, një ditë pas kësaj, është zyrtarizuar largimi i radhës. Alsid Tafili, lojtari më i mirë i Vllaznisë në sezonin e shkuar, ka dalë në stërvitje me Partizanin, skuadër me të cilën do të prezantohet sot. Kjo gjë ka shkaktuar reagimin e fortë të tifozëve kuqeblu ku realisht skuadra shkodrane mbetet më e vonuar se të gjitha ekipet e tjera të kategorisë superiore.

Artikulli paraprakKORI I UNIVERSITETIT TE SHKODRES
Artikulli tjetërKETI BAZHDARI MBYLL FUSHATËN NË VELIPOJË