Deputeti demokrat Tritan Shehu ka debatuar me kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla duke e akuzuar se kanë shkelur rregulloren e Kuvendit, pasi kanë kaluar në Komisionin e Jashtëm rezolutën për njohjen e gjenocidit serb, kur në fakt duhet të kalojë direkt në Kuvend.

Shehu: Në shkelje të rregullores për dy arsye, kërkesa për mocion me debat dhe kërkesa me rezolutë për gjenocidin serb ka kaluar dy javë që është depozituar, duhet të shqyrtohet brenda 3 ditëve. Kemi bërë kërkesë të marrim pjesë në konferencën e kryetarëve. nuk na keni njoftuar. Shkelja e tretë e rregullores, kërkesa me mocion me debat s’ka pse të kalojë në komisionin e jashtëm të parlamentit, po kalon direkt.

Të gjitha këto truke për të mos e sjell atë rezolutë se bie ndesh me pazaret që bëhen me Vuçiç, nuk mund të prekin rregulloren e parlamentit shqiptar. Hera e parë që ndodh në historinë e këtij parlamenti. Nuk kalon në Komision, këtu ose miratojeni ore jo, si të dëshironi, nuk mund ta shkelni rregulloren, e bëni për të shtyrë se i djeg maxhorancës, Ramës dhe atyre që vijojnë pazaret me Vuçiç.

Nikolla: Në datën 15 dhe 20 ka qenë e njëjta qasje e njëjtë me sugjerimin që ka barë zoti Mediu dhe po e perifrazoj edhe këtu. të ulemi të analizojmë të shqyrtojmë që këtu të vijmë me një draft të përbashkët.

Shehu: Mediu s’ka asnjë punë me këtë gjë, po të dojë të sjell rezolutë. Ne jemi autorët, Alibeaj është pjesë e rezolutës së dytë. Biem dakord. Nuk kam asnjë kundërshtim të dakordësohemi edhe me grupin e maxhorancës, por kjo gjë bëhet duke pyetur, duke u ftuar edhe ne në Konferencën e Kryetarëve. nëse nuk bien dakord, diskutohen veç e veç. Askush nuk ka të drejtë të flasë në emrin tonë. Kjo tregon që ka diçka mbrapa, bie erë, bie ndesh me Vuçiç dhe kjo është turp i parlamentit pastaj.