Anëtari i Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo është i pari gjykatës i nivelit të lartë që shkarkohet si pasojë e vettingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi largimin e gjykatësit Lulo, pasi vlerësoi se ai nuk justifikoi pasurinë e tij qe arrin në qindra milionë lekë.

“Në përfundim të procesit të rivlerësimit trupa gjykuese vendosi shkarkimin nga detyra të Fatos Lulo, gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Vendimi i arsyetuar me shkrimi njoftohet Lulos, Komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë. Vendimi publikohet në faqen zyrtare të KPK. Ky vendim apelohet nga 15 ditë nga data e njoftimit.”

Me gjithë vendimin, Fatos Lulo ka të drejtë ta ankimojë atë pranë Kolegjit të Apelimit, çka është konfirmuar nga avokati Ardian Visha.

“Do të apelojmë vendimin. Ne e konsiderojmë të paqenë fabulën mbi të cilën u dha vendimi i sotëm, është i padrejtë dhe i pa mbështetur. Por ky ishte verdikti dhe do të apelohet. Për standardin që vendos, është një stekë shumë e ulët, zor që do të kalojë njeri. Problemi është se kush do të rrijë në sistem.”

Nëse Kolegji i Apelimit vendos të mbajë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit mbetet në diskrecion të këtij institucioni për t’ia kaluar dosjen Prokurorisë për hetim më të thelluar, siç ndodhi me rastin e gjykatësit tjetër të Kushtetueses Besnik Imeraj.

Gjatë hetimit administrativ, KPK bazuar në raportin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, akuzoi gjykatësin Lulo për mungesë të ligjshme të burimeve financiare dhe deklarim të rremë të pasurisë.

Fatos Lulo ka deklaruar si pasuri ndër të tjera, një apartament prej 175 metra katrorë në Tiranë, zyrë personale, 100 mijë dollar të dhuruara nga e motra, depozitë prej 400 mijë dollar kanadezë në një bankë në Toronto. Po ashtu Lulo kishte tentuar të blinte një shtëpi në Kanada me vlerë 480 mijë dollar.

Pas vendimit reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili e konsideron si nisje të mbarë të vettingut. “Pas 17 gjykatësve e prokurorëve që i ikën vetingut pa filluar, procesi nisi e I pari që u mor në pyetje nuk e justifikoi sot pasurinë dhe ra! Jam i bindur s’kemi parë gjë akoma”, thekson kreu qeverisë.

Artikulli paraprakPS VIJON TË KËRKOJË HETIM PËR KONTRATAT E PD
Artikulli tjetër“RRITJA EKONOMIKE NUK SJELL PUNËSIM NË MASËN E DUHUR”