Një vrimë e madhe e ozonit që nuk pritej të ekzistonte është identifikuar në atmosferën e Tokës pothuajse në të gjithë rajonin tropikal.

Vrima është rreth shtatë herë më e madhe se vrima më e njohur e ozonit në Antarktidë që hapet çdo vit në pranverë, por ndryshe nga ajo, kjo qëndron thuajse gjithë vitin e hapur.

Profesor Qing-Bin Lu, një shkencëtar nga Universiteti i Waterloo në Ontario, Kanada, tha se sipas hulumtimit të tij, vrima ka qenë tashmë e pranishme për më shumë se 30 vjet dhe mbulon një zonë kaq masive sa gjysma e popullsisë së botës mund të jetë të prekura.

Ai tha për The Independent:

“Ndryshe nga vrima e Ozonit në Antarktidë që shfaqet vetëm në stinën e pranverës, vrima tropikale e ozonit shfaqet në të gjitha stinët që nga vitet 1980, dhe zona e saj është afërsisht 7 herë më e madhe.

Ajo mund të përbëjë një shqetësim global pasi mund të shkaktojë rritje të rrezatimit UV në nivelin e tokës dhe rreziqet e lidhura me kancerin e lëkurës dhe kataraktet, dhe efekte të tjera negative në shëndetin dhe ekosistemet në rajonet tropikale.”

Studiuesi tha se ka raporte paraprake që tregojnë se nivelet e dobësimit të ozonit mbi rajonet ekuatoriale po rrezikojnë tashmë popullsitë e mëdha në to, dhe rrezatimi UV që arrin në rajone ishte shumë më i madh se sa pritej.

Duke folur për gjetjen e zonës së madhe të ozonit të dobësuar, profesor Lu tha se ishte e pabesueshme që vrima e madhe tropikale e ozonit nuk ishte zbuluar më parë. Por ekzistojnë disa sfida të brendshme për të bërë këtë zbulim.

Së pari, nuk pritej të ekzistonte asnjë vrimë tropikale e ozonit nga teoria kryesore fotokimike.

Së dyti, ndryshe nga vrimat e ozonit në Antarktidë që janë sezonale dhe shfaqen kryesisht në pranverë, vrima tropikale e ozonit është në thelb e pandryshuar përgjatë stinëve dhe për këtë arsye është e padukshme në të dhënat origjinale të vëzhguara.

Në të kaluarën, prania e klorofluorokarboneve (CFCs) konsiderohej si shkaktari më i madh i dobësimit të Ozonit. Protokolli i Montrealit i vitit 1987, i cili i ndaloi ato, ka parë një reduktim të madh në përdorimin e tyre.

Por pavarësisht ndalimit global, vrimat më të mëdha, më të thella dhe më të vazhdueshme të ozonit – mbi Antarktik – u vëzhguan në fund të viteve 2000 dhe në 2020-2021.

Një teori e veçantë e varfërimit të ozonit, e njohur si reaksioni elektronik i drejtuar nga rrezet kozmike (CRE), në të cilin rrezet kozmike nga hapësira reduktojnë ozonin në atmosferë, u propozua për herë të parë nga profesori Lu dhe kolegët e tij dy dekada më parë.