Piktorja shqiptare nga Mali i Zi Monika Dukaj hapi një ekspozitë në qytetin e Shkodrës të quajtur “Spekter”. Artistja e re Dukaj zgjodhi mjediset e galeri “Oda” në Shkodër për të hapur ekspozitën e saj. Piktorja shprehet se vjen për herë të parë në Shqipëri me punimet e saj në një qytet si Shkodra ku ka kryer studimet e larta dhe ka shumë miq….
Në ekspozitën “Spekter” piktorja Dukaj ka vendosur që të sjellë përmes ngjyrave të shumta përditshmërinë e saj….
Punimet e piktores Monika Dukaj të shpalosura në paletën shumëngjyrëshe të artistes përmes pikturave e vizatimeve të kësaj autoreje me një të ardhme sollën mesazhe të qarta përshkruar nga peneli dhe lapsi modest, me prurje motivesh nga natyra dhe objekte të së përditëshmes njerëzore, duke i nxjerrë në pah me dritë-hijen dhe larminë shumëngjyrëshe të tyre. Motive që syri i vëzhguesit shpeshherë i anashkalon, por që nënvetëdija i ruan në thellësi të kujtesës për t‘i rishfaqur kur shikuesi has në pikturat dhe vizatimet e piktores së re. Këto punime sjellin gjithashtu copëza jete, kujtimesh e përjetimesh. Natyra të qeta që flasin shumë! Po ashtu spikat një larmi ndjenjash e emocionesh, ndërthurur me formën dhe ngjyrën, dritën e hijen, përcjellë me dëlirësi, thjeshtësi e butësi.