Mungesa e energjisë elektrike në fshatrat malortë qarkut Shkodër vazhdon që të jetë problemi kryesor. Kjo për shkak se kanë vijuar në këto zona malore reshjet e shiut dhe të borës duke vështirësuar situatën sa i përket kryesisht energjisë elektrike por edhe kalimit në disa akse rrugore. Në këtë mënyrë Komisioni i Emergjencave Civile në Prefekturën e Qarkut Shkodër raporton se sipas informacioneve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike janë në errësirë një pjesë e zonës turistike të Vermoshit në Malësinë e Madhe si dhe një pjesë e fshatit Zagorë afërsisht 280 abonentë edhe ky fshat në Malësinë e Madhe. Sipas raportimeve në Vermosh është e pamundur riparimi i defekteve për shkak të trashësisë së borës, ndërsa në Zagorë po punohet për pastrimin e linjës sepse ka shumë degë pemësh të thyera mbi linjë gjë e cila e vështirëson punën për rikthimin e energjisë elektrike në atë fshat. Nga specialistët e Emergjencave Civile në Malësinë e Madhe raportohet se aksi Qafë Berdoleci-Vermosh është i kalueshëm me zinxhirë dhe mjete të larta. Ndërkohë vështirësi kalimi ka edhe në aksin Qafë Thore-Theth për shkak të borës ndërsa nuk është i këshillueshëm kalimi për mjetet e ulta as në atë aks rrugor dhe rekomandohet vendosja e zinxhirëve dhe kalimi për mjetet e larta.

Ndërkohë sipas emergjencave civile nuk raportohen problematika në bashkitë Shkodër, Vua Dejës, Pukë dhe Fushë Arrëz. Nga drejtoria e ujitjes dhe kullimit në Lezhë raportohet se nivelet e ujrave janë poshtë leximit të hidrometrave, çka tregon për një situatë të qetë deri më tani duke qenë larg rrezikut të përmbytjeve të paktën për momentin.

Ndërkohë sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar bëhet e ditur se pas reshjeve të shiut dhe borës qarkullimi vazhdon normalisht në të gjitha akset nacionale. Po ashtu, këshillohen drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes në lëvizje, të reduktojnë shpejtësinë dhe të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore. Sipas ARRSH në Rajonin Verior gjatë natës ka pasur kryesisht reshje shiu, pa sjellë probleme me qarkullimim e mjeteve ndërsa është punuar në Qafë Mali-Fierzë për pastrimin e aksit rrugor atje. Në Rajonin Jugor dhe Qëndror sipas ARRSH reshjet kanë pushuar dhe kontraktorët kanë punuar me mjete borëpastruese dhe kanë bërë shpërndarjen e kripës në ato segmente ku ka patur prezencë bore.

 

Artikulli paraprakSHKODËR, EKSPOZITË E PIKTORES SHQIPTARE NGA MALI I ZI (VIDEO)
Artikulli tjetërSHKODËR, PENSIONISTËT: ÇMIM I NGROHJES I PA PËRBALLUESHËM (VIDEO)