5 dhjetori është dita botërore e kafesë turke e cila festohet në shumë shtete të ndryshme për simbolikën që përcjell prej shekujsh. Edhe në Shkodër instituti i kulturës “Yunus Emre” organizoi në bashkëpunim me bashkinë Shkodër një aktivitet në ditën botërore të kafesë turke. Në sheshin përpara bashkisë qytetarët shkodran patën mundësi të shijojnë kafen turke por edhe të njihen me traditën e hershme të saj. Drejtori i institutit “Yunus Emre” në Shkodër Zafer Kiyici (Zafer Këjëxhë) u shpreh se kjo festë është ditë e veçantë ndaj kanë vendosur që kafen turke ta bashkëndajnë me shkodranët në këtë ditë simbolike të festës….

Kafeja turke u përcaktua nga UNESCO si “Trashëgimi kulturore jomateriale e njerëzimit” ndaj data 5 Dhjetor festohet në mbarë botën si Dita e Kafesë Turke. Mendohet se kafeja turke është prezente prej 11 shekujsh në shumë vende të botës, mes të cilave edhe Shqipëria. Për shumë vite me radhë shqiptarët kanë preferuar kafen turke, gjë të cilën një pjesë e bëjnë edhe sot. Sipas disa studimeve, kafeja ndihmon në ndalimin e dhimbjes së kokës dhe ka një efekt 40% më të fortë se qetësuesit. Po ashtu mendohet se rrit përqendrimin e njeriut. Kafeja ka origjinën në Kaffa të Etiopisë, megjithatë emri i saj vjen nga Arabishtja. “Qahëa”. Kafeja e parë është prodhuar në Jemen, ku shumë besimtarë pinin kokrrat e kafesë të tretura në ujë, për të qëndruar zgjuar gjatë lutjeve. Nga Jemeni, në vitin 1517 kafeja rrugëtoi në Stamboll. Asokohe, Turqit zbuluan se me kokrrat e kafesë ata mund të përgatisnin një pije të shijshme, të athët dhe me ngjyrë të zezë, me anë të së cilës mund të merrnin shumë energji dhe të shuanin urinë derisa arriti që të marrë vulën e Perandorisë Osmane si e preferuar.

Artikulli paraprakCOVID-19, 24 VIKTIMA NË NJË JAVË NË SHQIPËRI
Artikulli tjetërDËSHTON MBULIMI ME PUNONJËS NGA BANGLADESHI