Mes lotësh e një dhimbje të madhe por edhe një krenarie të pamatë iu dha lamtumira e fundit dramaturgut dhe shkrimtarit të njohur shkodran e shqiptar Fadil Kraja. Homazhet u mbajtën në shtëpinë e dytë të të ndjerit, teatrin “Migjeni” në Shkodër. Shumë personalitete të artit e kulturës nderuan figurën e Fadil Krajës.

Fadil Kraja u nda nga jeta në moshën 90-vjeçare, ndërsa është autor i mbi 50 dramave dhe komedive por edhe autor i disa vëllimeve poetike dhe me tregime. Krijimtaria dhe emri i tij lidhen ngushtë me Teatrin Kombëtar Shqiptar dhe Teatrin “Migjeni” të Shkodrës ku në këtë të fundit kontribuoi prej 60 vitesh. Veprat e tij janë luajtur e vazhdojnë të luhen nga trupat teatrale të Shqipërisë, Kosovës, por edhe të Diasporës e kudo ku ka shqiptarë.

Fadil Kraja është fitues i dhjetra çmimeve letrare e sidomos në dramaturgji. Ai është Laureat i Çmimit të Republikës. Kontributi i tij është çmuar edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, i cili i ka dhënë titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta me rastin e 70 vjetorit të themelimit të trupës profesioniste të Teatrit “Migjeni” në Shkodër, e dekoroi shkrimtarin dhe dramaturgun Fadil Kraja me Urdhrin e Kalorësit të Flamurit. Star Plus TV i shpreh ngushëllimet familjes për humbjen e njeriut të tyre të dashur dhe gjithë komunitetit të artit për ndarjen nga jeta të një pende të shquar të Shqipërisë.

 

Artikulli paraprakZJARR NË REPARTIN E KIRURGJISË NË SPITAL, MERR FLAKË TUBI I ASPIRIMIT
Artikulli tjetërRRËFEHET MIKU I FADIL KRAJËS, NDANË MËNGJESET NË 15 VITE