Një shtëpi muze dhe një dhomë ku ruhet një thesar historic. Janë këto fjalët kyqe të cilat mund ta përshkruajnë më së miri vizitën në banesën e Ahmet Shurdhës. Prej shumë vitesh, ai koleksionon objekte dhe dokumenta të një rëndësie të veçantë që faktojnë ngjarje të ndryshme historike dhe kulturore të qytetit të Shkodrës dhe jo vetëm.

Sapo mbërrijmë në banesën e tij, Ahmeti menjëherë na njeh me muralen që tregon historikun e familjes së tij dhe shpërnguljen nga Ulqini, prej nga kanë edhe prejardhjen. Më pas, pa humbur kohë na fton në dhomën ku ruan atë që ai e quan “thesarin historic”. Në jo më shumë se 10 metër kemi lënë pas të paktën 10 objekte që I përkasin të shkuarës së familjes Shurdha.

Një pjesë të bisedës, Ahmeti e përqëndron tek gramafoni, të cilin gjyshi I tij e solli për herë të parë në Shkodër këtu e 90 vjet më parë.

Kjo dhomë, është e nipit të Oso Kukës thotë 75 vjeçari ndërsa tregon edhe lidhjen familjare që ka. E veçanta është se nuk ka ndryshuar asgjë prej ditës kur është ndërtuar shtëpia, rreth 150 vite më pare.

Në këtë dhomë gjen edhe një koleksion pasaportash të anëtarëve të familjes të cilat Ahmeti I ruan me shumë fanatizëm. Jo më pak rëndësi për pronarin e kësaj shtëpie ka një kolesion filxhanësh dhe çajnikësh nga vende të ndryshme të botës.

Ministria e Kulturës I ka sugjeruar ta bëjë dhomën të vizitueshme për qytetarët dhe turistët, por Ahmeti nuk ka pranuar.

Ahmeti tregon se nuk kishte menduar ndonjëherë se këtë dhomë do ta kthente në një muze të dëshmisë së shumë ngjarjeve politike dhe historike të vendit. Për shumë vite këto dokumente janë lënë në sirtar, ndërkohë që sot, 75 vjeçari me shumë krenari prezanton atë që vizitoret e quajnë dhoma e thesarit historic, si për të treguar vlerën që mbart kjo dhomë dhe shtëpia e familjes Shurdha.