Muajt e fundit, pas bashkimit të bashkisë Shkodër me 10-ish komunat po tregojnë se niveli i varfërisë dhe i të papunëve është në shifra alarmante. Përveç përceptimit qytetar dhe asaj çfarë raportojnë drejtues vendor herë pas here, këtë situatë të vështirë për të papunët në bashkinë e re të Shkodrës e tregojnë edhe shifrat zyrtare të zyrës së ndihmës ekonomike.

Kështu përafërsisht janë rreth 5 mijë familje që trajtohen me ndihmë ekonomike duke përfshirë qytetin dhe 10 –ish komunat. Në raport me numrin e banorëve kjo shifër është e lartë. Me një mesatare të thjeshtë, sipas këtyre shifra janë afro 20 mijë banorë që trajtohen me këtë pagesë sociale. Në bashkinë e re të Shkodrës janë rreth 202 mijë banorë sipas regjistrimeve në regjistrat civil. Nëse zbriten edhe ata që nuk jetojnë në bashkinë e re të Shkodrës për arsye emigrimi atëherë e përllogaritur në përqindje janë më shumë se 10% e banorëve të cilët trajtohen me ndihmë ekonomike. Kjo tregon mësëmiri varfëinë ekstreme që prej vitesh ka mbërthyer Shkodrën edhe pse shpesh herë trumpetohet si vend strategjik për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Në fakt qoftë qeveritë në gjithë këto 25 vite por edhe pushteti lokal duhet thënë se kanë luajtur me këtë qytet duke e lënë e duke e zhytyr në një varfëri të plotë. Edhe pse ka të gjitha potencialet për t’u zhvilluar duket se askujt nuk i ka interesuar një gjë e tillë. Vetëm në pjesën e qytetit të Shkodrës janë rreth 3 mijë familje që trajtohen me ndihmë ekonomike ndërsa 2 mijë të tjera i përkasin ish-komunave të cilët kanë një numër banorësh më të vogël se qyteti i Shkodrës. E thënë ndryshe situata në 10 njësitë administrative është shumë më e vështirë. Në qytetin e Shkodrës janë rreth 117 mijë banorë sipas regjistrit civil, çka do të thotë se 85 mijë të tjerë i përkasin 10-ish komunave. Lista e personave që përfitojnë ndihmë ekonomike mund të jenë edhe të fryra siç edhe është debatuar në mbledhjet e këshillit bashkiak por sërish edhe pa to numri i atyre që përfitojnë ndihmë ekonomike në raport me popullsinë është i lartë. Nga ana tjetër edhe shuma që përfitojnë këtë familje nga kjo pagesë sociale është qesharake dhe nuk mjafton për të kaluar më shumë se 2-3 ditë për një familje normale.

Artikulli paraprakLAGJIA “MARK LULA”, ZONA E VETME E UNAZËS NË ERRËSIRË
Artikulli tjetërAVOKATJA: MJAÇAJ NUK KISHTE PLAN TË VRISTE ÇEKËT