
Kombëtarja e femrave është mposhtur me rezultatin 0-1 nga Uellsi në stadiumin “Loro Boriçi”, në ndeshjen e parë të raundit të play-off-it për Botërorin 2027. Pavarësisht paraqitjes pozitive dhe rasteve të krijuara, vajzat kuqezi nuk arritën të shmangin humbjen, teksa goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 21-të nga Rowe. Skuadra e drejtuar nga trajneri shkodran Armir Grima reagoi në pjesën e dytë, duke rritur presionin dhe duke kërkuar me ngulm golin e barazimit, por pa rezultat. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve, vajzat kuqezi treguan karakter dhe dëshirë për të rivalizuar deri në fund. Një gjë të tillë e thekson edhe trajneri i Kombëtares, Armir Grima, në prononcimin e tij pas ndeshjes.
Ndeshja e kthimit do të luhet më 13-tetor, në orën 20:15, në Uells, ku Shqipërisë do t’i duhet një rezultat pozitiv për të vijuar ëndrrën e kualifikimit në Botërorin 2027.


