Gjykata e shkallës së parë në Shkodër i ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me Burg” shtetasve të cilën iu gjetën lëndë narkotike dhe një shtëpi bari gjatë operacionit “Syri i Sheganit” ku u arrestuar tre autorët e dyshuar të grabitjes së bankës në Koplik. Në këtë mënyrë gjykata e Shkodrës ka lënë në qeli shtetasit Ramiz Nikdukaj 64 vjeç, Bashkim Kovaçi 64 vjeç dhe Altion Luli 43 vjeç këto dy të fundit nga Cerriku, pasi u kapën brenda shtëpisë së barit dhe dyshohen se ishin punëtorë.

Në banesën e shtetasit Nikdukaj u gjet një ambjent i përshtatur për kultivim të narkotikëve, ku u sekuestruan në total 31 kg kanabis dhe 455 bimë të kultivuara në ambjent me llampa, si dhe 245 bimë të mbjella në oborr. Ai akuzohet për kultivim të bimëve narkotike kryer në bashkëpunim dhe vjedhje të energjisë, ndërsa dy shtetasit nga Cerriku u kapën duke punuar në ambjentin ku kultivoheshin bimët.

Pas shqyrtimit të provave, drejtuesi i seancës Andri Ymeri pranoi kërkesën e prokurorit Vat Staka, duke i lënë këto shtetas në masën e sigurisë “arrest me burg”. Policia vendore e Shkodrës arrestoi në flagrancë shtetasin Ramiz Nikdukaj i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Po ashtu policia shpalli në kërkim shtetasin Almir Nikdukaj, djali i Ramiz Nikdukaj dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasja me inicialet E.N, vajza e Ramiz Nikdukaj. Në gjendje të lirë u proceduan edhe dy elektriçistë të zonës, shtetasit me inicialet P.I dhe G.B. Më 8 qershor gjykata e shkallës së parë në Shkodër dha masën e sigurisë “arrest me burg” edhe për tre autorët e grabitjes së bankës në Koplik, shtetasit Bekim Gurra, Admir Shaba dhe Armir Shaba.

Këto dy të fundit mohuan akuzat ndaj tyre ndërsa shtetasi Bekim Gurra nuk preferoi të flasë duke u përfaqësuar nga avokati i tij ndërsa e vetmja dëshmisë është ajo pas arrestimit në polici ku tregoi me detaje realizimin e grabitjes së bankës.

 

Artikulli paraprak“SHKODRA N’FOKUS” NISMA E BASHKISË PËR 18 PROJEKTE
Artikulli tjetërSHKODËR, KOMEDIA E ZEZË “GJAJA” QË GODET KORRUPSIONIN