Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ka vijuar me takime intensive me drejtues të zyrave vendore, drejtorive rajonale dhe përfaqësues të ministrisë, për të plotësuar çdo nevojë të mundshme të institucioneve arsimore të arsimit parauniversitar, bën të ditur Ministria e Arsimit. Ndërkaq në një status në rrjete sociale Kushi ka publikuar momente të mbledhjes në mjedis virtual, në të cilat u diskutuan në detaje të gjitha çështjet e nevojshme, për të mirëpritur nxënësit në 1 shtator për mësim plotësues.
“Takim online me drejtuesit e zyrave vendore arsimore, për të marrë të gjitha masat e nevojshme që shkollat të jenë gati për të mirëpritur nxënësit në datë 1 shtator dhe që mësimi plotësues të realizohet me sukses”- shkruan Ministrja Kushi. Mësimi plotësues që nis nga data 1 shtator 2021, nuk është bërë i detyrueshëm, por i rekomandueshëm, pasi jo në të gjitha shkollat është zhvilluar mësim në distancë apo online vitin e kaluar gjatë pandemisë.
Gjatë periudhës së pandemisë ka patur shumë shkolla të cilat e kanë zhvilluar mësimin me prezencë fizike. Ndërkohë që në 10 zonat e riskut mësimi është organizuar në distancë për rreth dy muaj. Për këtë arsye, mësimi plotësues është lënë në fleksibilitetin e çdo shkolle, për të hartuar programin specifik sipas nevojave të nxënësve. Një ditë më parë ministrja e arsimit sqaroi se procesi mësimor për arsimin parauniversitar do të nis në datën 27 shtator. Ndërkohë shkollat do të jenë të hapura që nga 1 shtatori dhe mësuesit e kanë detyrim për t’u paraqitur.
Ndryshe nga mësuesit nga periudha 1 shtator deri më 27 shtator për nxënësit nuk është e detyrueshme të shkojnë në shkollë përveç atyre që kanë dëshirë që të marrin pjesë në mësimin plotësues. Pas këtij vendimi disi të papritur të ministrisë së arsimit për shtyerjen e procesit mësimor me dy javë, reagoi partia demokratike e cila tha se shtyerja e mësimit nga ministria e arsimit u bë për shkak se dështoi mësimi online dhe kjo krijoi boshllëqe tek nxënësit.