Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako gjatë një deklarate për mediat ka folur për përballimin e fatkeqësive natyrore në vendin tonë ku theksoi se Shqipëria nuk i ka kapacitetet e nevojshme për të përballuar situata të emergjencës.

“Mbrojtja civile duhet të funksionojë në mënyrë unike për të menaxhuar fatkeqësitë natyrore. Sot jemi në një takim konsultativ për dokumente që burojnë dhe atashojnë ekspertët më të mirë të vendit dhe të huaj për të bërë vlerësimin e këtij risku në kombëtar për të përballuar fatkeqësitë natyrore”, tha Çako.

Ai u shpreh se vendi ynë është në partneritet të vazhdueshëm me vendet e BE-së dhe po punohet intensivisht për tu pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për të menaxhuar sa më mirë pasojat e natyrës.

“Jemi duke punuar intensivisht për të pajisur me gjitha mjetet e nevojshme për të menaxhuar sa më mirë pasojat e natyrës, natyrisht që Shqipëria ka nevojë për pajisje të tjera për të menaxhuar situatën e emergjencave. Kërkohet trajnim për njësitet e kërkim shpëtimit, emergjencat civile. Ne jemi duke punuar shumë edhe për remontin e mjeteve ajrore që disponojmë dhe jemi në kontakt me partnerët ndërkombëtar. Ashtu ndodhi edhe gjatë sportin me Greqinë e cila na dha suport për fikjen e zjarreve në Sazan. Kapacitetet nuk janë ato që duhet të jenë por ne po bëjmë përpjekje maksimale”, tha ai

Kreu i Emergjencave Civile tha se jemi duke vlerësuar dhe evidentuar zonat me risk të lartë të cilat duhen rehabilituar. Çako u shpreh se Emergjencat janë në gatishmëri dhe të përgatitura për çdo rast.

“Jemi në partneritet jemi bërë edhe ne pjesë e suporteve tona në Kosovë. Në këto kushte kapacitetet e shtuara të vendit të rajonit janë kapacitetet të dubluara që shtojnë fuqinë ndaj fatkeqësive natyrore. Reagimi për nevoja të tilla ekstreme nuk do të ketë nevojë për procedurë.

Çështja e përmbytjeve dhe fatkeqësia natyrore që ka shumë risk ne jemi duke punuar pasi është një fenomen që vazhdon të vlerësohet në mënyrë konstante. Duhen rehabilituar zonat me risk të lartë. Lidhur me krizën ekonomike që sjell lufta në Ukrainë janë probleme ekonomike që i takon të tjerëve por emergjenca civile është e përgatitur për të qenë e gatshme për çdo nevojë dhe për të vendosur ekuilibra në tregun e brendshëm”, u shpreh Çako.

Zjarret që përfshinë vendin ditët e fundit ngritën dhe njëherë çështjen nëse vendi ynë ka kapacitetin dhe mjetet e duhura për të përballuar një rast të tillë. Në ishullin e Sazanit, forcat zjarrfikëse luftuan 4 ditë me flakët derisa Greqia solli avionin Canadair CL-415 që bëri të mundur neutralizimin e flakëve.

Artikulli paraprakVENDIMI I ÇUDITSHËM NË KALIFORNI: BLETËT KONSIDEROHEN LIGJËRISHT SI PESHQ
Artikulli tjetërBERISHA THIRRJE SHQIPTARËVE: NGRIHUNI NË MBROJTJE TË IDEALEVE!